Protestat e dhunshme në Francë, shtyhet vizita e Mbretit Charles

Vizita shtetërore e mbretit Charles III në Francë është shtyrë, pasi protestat kundër reformave të pensioneve të qeverisë u kthyen në dhunë.

Pallati Elysée i Francës tha se vendimi ishte marrë për shkak të protestave të paralajmëruara në ditën e vizitës së Mbretit.

Udhëtimi në Paris dhe Bordeaux duhej të fillonte të dielën, por Franca u përball me disa nga protestat më të dhunshme të enjten që nga fillimi i demonstratave në janar.

Buckingham Palace tha se vonesa ishte për shkak të “situatës në Francë”.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se vendimi ishte “marrë me pëlqimin e të gjitha palëve, pasi Presidenti i Francës i kërkoi qeverisë britanike të shtynte vizitën”.

Presidenti Emmanuel Macron foli me Mbretin të premten në mëngjes, tha Pallati Elysée. Vizita shtetërore do të ricaktohet sa më shpejt që të jetë e mundur, “në mënyrë që madhëria e tij të mirëpritet në kushte që korrespondojnë me marrëdhëniet tona miqësore”.

Disa qytete franceze u përballën me dhunë pasi më shumë se 1 milion persona u mblodhën për të protestuar.

Hyrja e bashkisë në Bordo u përfshi nga flakët. Në kryeqytet, u hodh gaz lotsjellës dhe Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin tha se 903 zjarre u ndezën, në një qytet ku mbeturinat janë lënë të pambledhura që nga 6 marsi./Albeu.com/


Shtuar 24.03.2023 12:33