Policia nuk të ndal më në rrugë, çfarë ndodh me gjobat (VIDEO)
Pakësimi i numrit të policëve në rrugët e kryeqytetit nuk do të thotë se shoferët kanë shpëtuar nga gjobat.

Madje tashmë policët janë në mbikqyrje për të kapur targat e automjetev që kryejnë shkelje të qarkullimit rrugor.

Përmes një videoje publikuar sot në media, Policia Rrugore e Tiranës ka treguar se si filmohen drejtuesit e mjeteve që kalojnë semaforin e kuq, apo ata që nuk ndalojnë në vijat e bardha.

Njoftimi:

Rrugorët e kryeqytetit vazhdojnë patrullimet dhe monitorimet me përzgjedhje, për evidentimin dhe procedimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët urbane të kryeqytetit.

Përpos masave të marra nga policia, duke ndëshkuar dhe këshilluar në disa raste, fatkeqësisht numri i shkeljeve që konstatohen në rruget e kryeqytetit mbetet i lartë dhe për rrjedhojë edhe rreziku për tu përfshirë në një ngjarje rrugore.

Referuar analizave mbi ngjarjet e fundit rrugore dhe konstatimeve të shkeljeve në vazhdimësi, duhet akoma më shumë fokus i policisë dhe jo vetëm, kryesisht mbi respektimin e sinjalizimit rrugor, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, përparësitë ndaj këmbësorëve etj.

Policia Rrugore kërkon mirëkuptimin tuaj, pasi çdo masë administrative e vendosur, nuk ka për qëllim dëmtimin apo ndëshkimin, por parandalimin e pasojave që mund të vijnë si rezultat i shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në rrugët ku udhëtoni ju, familjarët tuaj dhe i gjithë komuniteti.

Duke e konsideruar sigurinë rrugore si sfidë të përbashkët, lutemi për bashkëpunimin tuaj. /albeu.com/
Shtuar më 04/01/2019, ora 13:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori