Albin Kurti ka edhe 12 ditë nga Kushtetuta dhe 3 ditë kohë nga LDK për arritjen e koalicionit

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës assesi nuk janë duke arritur marrëveshjen për koalicionin qeverisës.

Të dy subjektet politike kanë pozicione të betonizuara. Vetëvendosje kërkon nga LDK që të pranojë ofertën e saj me 5 ministri, por ku VV do t’i kishte 2 postet kryesore, kryeministrin dhe kryeparlamentarin e gjithashtu do të ndikonte në votimin e presidentit, shkruan lajmi.net.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka në tavolinë ofertën ku kryeparlamentari i zgjedhur nga Vetëvendosje dhe i votuar nga LDK, Glauk Konjufca do të dorëhiqej dhe LDK-së do t’i takonte ky post e gjithashtu emri i presidentit.

Vetëvendosje është shprehur se assesi nuk do të kërkojnë dorëheqjen nga Konjufca, por gjithashtu i ka hapur rrugë LDK-së ta shkarkojnë atë nga posti i kryeparlamentarit.

Sipas pozicioneve të tanishme kanë kaluar dy ditë ku përveç deklaratave polarizuese publike, partitë as nuk janë takuar, as nuk kanë shkëmbyer letra me njëra-tjetrën.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës disa herë nëpërmjet zyrtarëve të vet ka deklaruar se nëse nuk arrihet marrëveshje deri në fillimin e javës tjetër (dita e hënë, 27 janar), atëherë do të tërhiqen nga negociatat.

Nga sot, Lëvizja Vetëvendosje ka vetëm edhe 3 ditë kohë që ta bind Lidhjen Demokratike të Kosovës të jetë pjesë e koalicionit me ndonjë variant të ndarjes së posteve.

Por në anën tjetër, nga sot, Albin Kurti ka edhe 12 ditë kohë sipas afatit kushtetues për ta formuar qeverinë, e i njëjti ka mohuar kategorikisht se koalicioni qeverisës mund të ndodhë me ndonjë parti tjetër përveç LDK-së, ani pse AAK e Nisma janë shprehur të gatshme të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme.

Në anën tjetër, i Dërguari i Posaçëm i presidentit të SHBA-ve Donald Trump, për dialogun Kosovë – Serbi ka vizituar Kosovën me ç’rast është takuar me zyrtarë të të dy partive.

Edhe pse i njëjti ka mohuar të jetë në Kosovë për të shtyrë marrëveshjen midis këtyre dy partive, analistët në vend kanë vlerësuar se kjo është bërë tërthorazi nga ambasadori i SHBA-ve në Gjermani.

Në anën tjetër, Kurti dhe Vetëvendosje nuk kanë mohuar mundësinë e një qeverie të pakicës e cila do të votohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por që këta të fundit nuk do të ishin fare pjesë e saj.

Po ashtu, lajmi.net ka raportuar se në rast se Kurti nuk e formon qeverinë në afatin e paraparë sipas Kushtetutës është në diskrecionin e Presidentit të mandatojë secilën parti që e ka shumicën për të formuar qeverinë.

Pra, të mandatuarit për të formuar qeverinë, liderit të partisë fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, Albin Kurti, i kanë mbetur edhe 12 ditë nga Kushtetuta dhe vetëm edhe 3 ditë nga LDK që të gjejë zgjidhje për formimin e qeverisë.


Shtuar 23.01.2020 17:02