Skandal në burgun e Drenovës, drejtori me dëftesë të falsifikuar (VIDEO)
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Skandale të njëpasnjëshme po ndodhin në vendin tonë. Këtë herë ka plasur skandali i radhës në burg. Emisioni investigativ "Fiks Fare", ka denoncuar zyrtarin e lartë të burgut të Drenovës, i cili figuron me listë notash të falsifikuar.

Fiks fare ka verifikuar në regjistrat e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Ersekë, ku ka gjetur se emri i zyrtarit të burgut figuron me dy numra amze dhe dy lista notash.

“Fiks Fare” tregon sesi është bërë korrigjimi në regjistrat e shkollës dhe mesatarja e zyrtarit është rritur nga 6.5 në 10.
Drejtori i Burimeve Njerëzore në burgun e Drenovës, në regjistrat e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” figuron me dy emra, Origest Nevruz Lifo dhe Orges Nevruz Lifo. Gjeneralitetet i ka të njëjta.

Ai ka mbaruar gjimnazin në vitin 2000 dhe në vitin 2006 nga një kontroll gjendet se ky ish-nxënës figuron me dy numra amze përkatësisht Nr. 2242 dhe Nr. 2274.

Në të dy emrat si Origest Novrus Lifo dhe Orges Novrus Lifo, gjeneralitetet nuk ndryshojnë, kurse notat po. Në amzën e dytë lista e notave është me të gjitha 10-ta, por me karakteristikë që i përket një vajze.

Në këtë shkollë pas diplomimit të Lifos, nga viti 2002 deri në 2006 sekretare e shkollës së mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” Ersekë, ka qenë motra e tij. Vetë zoti Lifo pohon se motra e tij është larguar nga puna pas konstatimit të këtyre korrigjimeve në regjistër, por sipas tij, ky ka qenë shkaku për ta larguar atë nga puna.

Në tetor 2014 është bërë një kallëzim në Prokurorinë e Korçës, por që në 30 janar 2015 hetimi mbyllet për shkak të tejkalimit të afateve hetimore.

Gazetarët e Fiksit iu drejtuan shkollës “Petro Nini Luarasi” ku drejtoresha e këtij gjimnazi shpjegon se si janë ndryshuar numrat e amzave. Ajo pohon se në 2006 është ngritur një komision i cili ka konstatuar disa falsifikime.

Ndër tyre figuron edhe emri i zyrtarit të lartë të burgut të Drenovës.

Komisioni i ngritur pa se, Orges Lifo me nr. amze 2274 ka korrigjime notash që nuk korrespondojnë me notat përfundimtare nga regjistrat e viteve shkollore që disponon drejtoria e shkollës. Po i njëjti person thuhet në raport, figuron dhe me nr. amze 2242 ku korrigjimet janë të dukshme.

Për të marrë një përgjigje më të plotë, gazetarët iu drejtuan vetë zyrtarit të burgut të Drenovës, zotit Orges Lifos.

Lifo nuk pranoi të jepte intervistë përballë kamerës, por me shpinë. Ai pohon se nuk e di se kush e ka bërë këtë gjë dhe e gjitha është pasi duan t’i dëmtojnë figurën e tij. Kjo për shkak se ai aktualisht mban një post politik në qytetin e Ersekës, është kryetar i FRESSH-it dhe kërkon të hedhë kandidaturën për Kryetar Bashkie në zgjedhjet e ardhshme.

Ai pohon se ka përdorur vetëm diplomën me mesatare 6.5 në të gjitha institucionet. Lifo pranon punësimin e motrës së tij si sekretare në vitet 2002-2006 dhe më pas këto falsifikime sipas tij janë bërë për inat.

Gjithashtu ai tregon se nuk i është dashur mesatarja për të fituar shkollën e lartë pasi ai është diplomuar në universitetin privat UFO, dega Juridik.

Kurse nga një shkresë që ka siguruar redaksia e “Fiks Fare”, Universiteti i Tiranës pohon se zoti Lifo ka konkurruar për të njëjtën degë, Juridik, në këtë universitet dhe nuk ka fituar./Albeu.com/
Shtuar më 12/10/2016, ora 21:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 
Elseid Hysaj ka sfiduar temperaturat e ulëta në shtetin fqinj duke u fotografuar sipër një makine tip

Elseid Hysaj ka sfiduar temperaturat e ulëta në shtetin fqinj duke u fotografuar sipër një makine tip "Jeep".