Komisioni i Venecias anulon vizitën në Tiranë, shkak frika nga koronavirusi

Komisioni i Venecias ka anuluar sesionin e 20-21 marsit, në Shqipëri. Mwsohet se shkak për anulimin e vizitës është kërcënimi nga koronavirusi, i cili ka shpërthyer në të gjitha kontinentet.

Kujtojmë se në këtë sesion Komisioni i Venecias do të publikonte dy raporte për Shqipërinë, mbi emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe për paketën ligjore anti-shpifje.

Ky komision pati edhe një vizitë në 13-14 shkurt, me një delegacion fakt-mbledhës për çështjen e presidenti dhe ligjin anti-shpifje.

Mes takimeve të shumta, delegacioni takoi edhe Arta Vorpsin, takim që pasoi atë me presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Vorpsi është gjyqtarja e cila ishte kandidate për në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas shumicës, presidenti nuk respektoi afatin 30 ditor që parashikon ligji, e për pasojë, kandidatja që renditej e para në listën e vakancës, Arta Vorpsi quhej automatikisht e emëruar.

Por presidenti Meta argumenton se Kushtetuta saktëson që ai duhet të priste më parë përzgjedhjen e kandidatit nga vakancat e parlamentit.

Ndërsa shumica në pushtet e konsideroi si të emëruar automatikisht zonjën Vorpsi, Kreu i Shtetit dekretoi kandidaten Marsida Xhaferllari dhe organizoi ceremoninë e betimit për të.

Kështu, u krijua një përplasje me presidentit dhe mazhorancës, përplasje e cila solli në Tiranë edhe Komisionin e Venecias.


Shtuar 28.02.2020 18:55