“Ish-zyrtari i lartë i dërgoi email”, gazetarja tregon kush ishte informacioni i parë që ju dha DEA-s

DEA u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të dërgojnë informacione për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, ngjarje e paprecedent për vendin tonë.

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, deklaroi se një ish zyrtar i lartë, është i pari që ka dërguar email me informacione të tilla tek DEA.

Lala tha se njoftimi i DEA lidhet me mosbesimin që ata kanë ndaj autoriteteve shqiptare, ndaj kërkojnë informacione nga informatorë, të cilëve u garantojnë anonimatin.

E shoh si lajmin më të rëndësishëm të muajve të fundit. E kemi thënë që Shqipëria është kthyer në një narko-shtet. Trafiku i drogave të forta nga Amerika Latine në drejtim të Shqipërisë, nuk është më histori e disa trafikanëve, por është proces i organizuar me mbështetje të forta politike.

DEA, duke qenë se në Shqipëri kanë dështuar dhe janë dekonspiruar disa operacione të rëndësishme, si Xibraka, ku Gjykata e Apelit fshikullonte Policinë e Shtetit, që ndërhyri para kohe për të shpëtuar bosët, ishte një nga vendimet që asnjëherë nuk u lexua seriozisht nga institucionet ligjzbatuese. Kush e dekonspiron një çështje të trafikut të drogës? Titullari i policisë. Për këtë arsye, DEA, përmes ambasadës, ju bën thirrje qytetarëve shqiptarë të japin informacion. Ndonjëherë nga informacionet që duken si të parëndësishme, për institucionet atje janë shumë të rëndësishme. Shqipëria është kthyer në hambar drogë, në rrugë kalimi… Ne kemi disa laboratorë të konfirmuar, por ka edhe të tjerë të përfolur dhe të pazbuluar.

Për të ekspozuar ata që shesin apo dekonspirojnë informacionet, për të ekspozuar lidhjet e njerëzve të rëndësishëm të politikës me trafikantët e drogës, gjeti këtë mundësi.

DEA ka dëshmuar që e garanton anonimatin e informatorit. Kushdo që do të flasë, nuk do të dalë dhe ekspozohet në publik.

Duke mos patur besim te autoritetet shqiptare, duke patur dyshime të forta për përfshirjen e njerëzve të politikës, biznesit, në trafikun e drogës, është gjetur si një mënyrë për të grumbulluar informacion.

Një ish zyrtar i lartë ka qenë emaili i parë që i ka vajtur DEA-s“, tha Lala.


Shtuar 16.03.2023 22:46