Tragjedia në Greqi, mes viktimave konfirmohen 5 shqiptarë

Ka shkuar në pesë numri i viktimave me origjinë shqiptare nga aksidenti hekurudhir në Larisa të Greqisë, që ka lënë deri më tani 57 të vdekur dhe dhjetëra persona të zhdukur.

Mes viktimave ndodhen të paktën edhe pesë shtetas shqiptarë, pavarësisht se konfirmimi zyrtar për shumicën e tyre ende nuk është dhënë, pasi duhet të përfundohet identifikimi me anë të testit të ADN, shkruan Top Channel.

“Momenti më i vështirë është ky, ku në vend që të shpëtojmë jetë duhet të nxjerrim trupa. Nuk është diçka që na pëlqen, nuk është diçka që duam të bëjmë dhe është diçka që do të mbetet në kujtesën tonë përgjithmonë sado që përpiqemi ta harrojmë,“ shprehet Konstantinos Imanimidis, brigadat e shpëtimit të  Kryqit të Kuq.

Gjithashtu mësohet se 7 trupa janë karbonizuar dhe nuk mund të identifikohen me testin e AND-së.

Kërkimet vijojnë në rrënojat e trenave, edhe pse ka shumë pak shpresa për të gjetur të mbijetuar.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, e quajti përplasjen e trenit të pasagjerëve dhe një treni mallrash “një aksident të tmerrshëm hekurudhor pa precedent në vendin tonë” dhe u zotua për një hetim të plotë dhe të pavarur.

Ai tha se duket se përplasja ishte “kryesisht për shkak të një gabimi tragjik njerëzor”, por nuk dha hollësi.

Autoritetet greke arrestuan drejtuesin e stacionit të trenit në qytetin e Larisës. Ata nuk e publikuan emrin e këtij personi apo arsyen e arrestimit, por drejtuesi i stacionit është përgjegjës për trafikun hekurudhor në atë pjesë të shinave.

Treni me rreth 350 pasagjerë ka qenë duke udhëtuar nga Athina për në qytetin verior të Selanikut. Shumë prej udhëtarëve ishihn studentë që ktheheshin nga festimet e karnavaleve.

/albeu.com/