Çmontohet banda e shqiptarëve në Angli, “miell” dhe kanabis me vlerë 200 mijë euro

“The Albanians”, banda e shqiptarëve që “dyndi” Essex-in lindor, kryesisht qytetin e Basildos me drogë është shkatërruar nga policia angleze.

Katër persona u arrestuan dhe u sekuestruan një armë zjarri, 9000 paund, 1.4 kilogram kokainë dhe 22 kilogram kanabis, me një vlerë të kombinuar prej 200.000 paund.

Oficerët ishin vënë fillimisht në dijeni të bandës dhjetorin e kaluar, kur një telefon celular që po hetohej si pjesë e një çështjeje të veçantë zbuloi bandën.

Ekzistenca e linjës u konstatua më tej kur një telefon tjetër i sekuestruar si pjesë e një hetimi tjetër të veçantë, një muaj më vonë kishte një bisedë me tekst ku po organizohej shitja e drogës.

Banda përbëhej nga 29-vjeçari Mario Tsorri, 27-vjeçari Klodjan Doci, 23-vjeçari Alfonc Palaj dhe 31-vjeçari Dennis Hoj.

-Tsorri, nga Norwood End, Basildon akuzohet për furnizim dhe kokainë dhe kanabis, posedimin e një arme të ndaluar dhe posedimin e municioneve pa certifikatë armë zjarri;

-Palaj, gjithashtu nga Norëood End akuzohet se ishte përgjegjës për furnizimin me kokainë, kanabis dhe posedim të pasurisë kriminale;

-Hoj, gjithashtu nga Norwood End, ishte përgjegjës për furnizimin me kokainë dhe kanabis;

-Doci, nga Courtney Park Road, Langdon Hills, u deklarua fajtor për furnizim me kokainë, kanabis dhe posedim të pasurisë kriminale.

Në shtator Doci u burgos për tre vjet e tre muaj ndërsa Hoj u dënua me tre vjet e pesë muaj.

Klodjan Doci dhe Denis Hoj u dënuan në shtator

Të martën e kësaj jave (8 nëntor), Tsorri u dënua me gjithsej 11 vjet e katër muaj burg, ndërsa Palaj u dënua me pesë vjet e 10 muaj.

PC Trevor Phillips, nga Ekipi Disruptor që drejtoi hetimin, tha:

“Kjo bandë e mbushi Basildon me drogë të klasit A.”

“Droga është një plagë për shoqërinë, duke shkatërruar jetë dhe duke shkatërruar komunitete.”

“Aty ku shitet droga, shpesh ka dhunë dhe shfrytëzim të njerëzve vulnerabël.”

“Ne do të vazhdojmë punën tonë për të vënë tregtarët e drogës pas hekurave dhe për të hequr helmin që ata nxjerrin në rrugë.”