Ky shtet europian i thotë “STOP” kufizimeve ndaj Covid

Qeveria austriake vendosi këtë të mërkurë që t’I japë fund shumicës së kufizimeve anti-Covid.

Heqja e kufizimeve do të nisë nga data 5 mars, megjithëse mbajtja e maskave do të mbetet e detyrueshme në disa vende.

Kancelari Karl Nehammer e njoftoi vendimin në një konferencë shtypi në Vjenë. Zyrtarët theksuan se pandemia nuk ka mbaruar ende, por një stabilizim i infeksioneve të reja i lejon Austrisë, e cila kohët e fundit u bë vendi i parë evropian që miratoi me ligj vaksinimet e detyrueshme për shumicën e të rriturve, të hapet hap pas hapi.

Në hapin e parë duke filluar nga e shtuna, dëshmia e vaksinimit ose shërimi i fundit nuk do të kërkohet më për të marrë pjesë në ngjarje, për të shkuar në restorante, bare apo parukeri dhe aktivitete të tjera të ndryshme. Dëshmia e një testi negativ do të mjaftojë për këto gjëra.

“Më 5 mars, pjesa më e madhe e kufizimeve që rëndojnë kaq shumë njerëzit do të marrin fund,” tha Nehammer, shkruajnë mediat e huaja.

Kërkesat e hyrjes dhe shumica e kufizimeve të tjera do të hiqen krejtësisht, me klubet e natës që do të rihapen dhe një frenim në mesnatë në orët e hapjes për restorantet dhe baret do të përfundojë.

Nehammer tha se një kërkesë për të veshur maska mbrojtëse FFP2 do të mbetet në fuqi “aty ku është absolutisht e nevojshme për të mbrojtur grupet e cenueshme”, duke përfshirë transportin publik, dyqanet thelbësore dhe farmacitë. Dëshmia e të paktën një testi negativ do të vazhdojë të kërkohet për stafin dhe vizitorët në spitale dhe shtëpi pleqsh.


Shtuar 16.02.2022 16:05