U kap me 1 ton kanabis në Kapshticë, Apeli merr vendimin për Bashkim Muratajn

Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg 58-vjeçarin Bashkim Murataj, i akuzuar për tentativën e trafikut të 1 ton drogë drejt Greqisë.

“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, më datë 09.09.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është shpallur vendimi lidhur me çështjen penale nr. 34 akti, datë 17.03.2022 regjistrimi, në ngarkim të të pandehurit Bashkim Murataj, ku trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi, Engert Pëllumbi dhe Lutfije Celami, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 72, datë 22.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.

Murataj është një ndër personat e arrestuar për tentativën e trafikimit të 1 ton drogë drejt Greqisë. Bashkë me të janë arrestuar dhe disa persona të tjerë, të cilët SPAK i cilëson si grup që merrej me trafik droge dhe “koka” ishte pikërisht Murataj.

Sipas SPAK, më datë 12.02.2019 duke u gdhirë data 13.02.2019, të pandehurit Adrian Sako dhe Zija Hidri, në bashkëpunim me të pandehurit Bashkim Murataj dhe Gentjan Ramadani, nën drejtimin dhe organizimin e grupit të strukturuar kriminal nga ana e të pandehurit Bashkim Murataj, kanë tentuar të trafikojnë 104 (njëqind e katër) thasë të mbushur me lëndë narkotike të llojit cannabis sattiva, në peshën e përgjithshme 1074.2 kg, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë.