U pyet dje në SPAK, çfarë dëshmoi Arben Ahmetaj për aferën e inceneratorëve: Nuk kam lidhje me Klodian Zoton

Ish-ministri, Arben Ahmetaj, u paraqit dje, 22 qershor, në SPAK. Ahmetaj qëndroi rreth gjashtë orë në ambientet e SPAK-ut. Ish-ministri mësohet se ka sqaruar për prokuroren Enkeleda Millonai pozicionin e tij për inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit.

Ahmetaj ka deklaruar se si ish-ministër i Ekonomisë dhe si ish ministër i Financave nuk ka patur asnjë rol vendimmarrës për incenetatorët, raporton gazetarja Keti Banushi. Ai ka mohuar gjithashtu lidhjen me Klodian Zoton për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen, ndërsa sa i takon vilës në Hamallaj ai ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses Erjola Hoxha,me të cilën bashkëjeton që nga viti 2022.

Kujtojmë se në verë të vitit 2020, Klodian Zoto, biznesmeni i shpallur në kërkim për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave, i shkroi një hoteli ku kishte bërë pagesë me kartën e tij të kreditit vite më parë dhe kërkoi që t’i konfirmonin pagesën e bërë në favor të ish-zëvendës kryeministrit, Arben Ahmetaj.

Lista e komunikimeve të Zotos me 6 hotele në Europë rrodhi në media pas kallëzimit në SPAK të bërë nga gazetari Adriatik Doçi. Në emaile zbulohet se i akuzuari për korrupsion aktiv e pastrim parash në aferën e inceneratorëve ka prenotuar ose paguar me kartën e tij të kreditit qëndrimet e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj në disa prej hoteleve.

Në emailet dhe faturat e publikuara rezulton edhe emri i Mirel Mërtirit, i akuzuar nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion aktiv dhe pastrim parash sa i përket ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit. Ahmetaj, i cili në Komisionin Hetimor Parlamentar për inceneratorët pati mohuar afrimitetin me Zoton dhe Mërtirin, sipas këtyre e-maileve ka pasur udhëtime dhe kontakte me ta të paktën prej vitit 2013

Emri i ish-zëvendëskryeministrit është shënuar në regjistrin e personit ndaj të cilit po zhvillohen hetime për tre vepra penale si “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë rrëzoi ish-zv. kryeministrin Arben Ahmetaj i cili kishte bërë rekurs kundër vendimit për kontrollin e vilës në Hamallaj, në pronësi të bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha. Gjykata e Larta ka rrëzuar Ahmetajn dhe Hoxhën duke lënë në fuqi vendimin në Apelin e GJKKO./albeu.com/


Shtuar 23.06.2023 12:00