Nxënësit në Kumanovë protestuan kundër maturës shtetërore (VIDEO)
Nxënësit e shkollave të mesme në Kumanovë, protestuan kundër testimit ekstern dhe konceptit të maturës shtetërore. Ata kërkojnë anulimin e këtij testimi, i cili sipas tyre nuk ka sjellur asnjë efekt në përmirësimin e gjendjes në arsimin e mesëm, si dhe kthimin e koceptit të vjetër të maturës shtetërore. Protestat nuk do t’i ndalin deri në realizimin e kërkesave të tyre.

"Nxënësit nuk janë të kënaqur me mënyrën e testimit ekstern. Ai testim është një ide jo e menduar mirë dhe e dështuar për fat të keq. Sigurisht, kërkojmë kthimin e modelit të vjetër të maturës shtetërore. Nëse gjejmë ndonjë formë më të mirë përveç protestës, do ta shqyrtojmë, por për momentin, protesta është mënyra e vetme për të tërhequr vëmendjen e MASH dhe Qeverisë", tha nxënësja Blerta Dehari.
"Kërkojmë ndalimin dhe heqjen e modelit aktual të testimit ekstern dhe formulimin e një koncepti të pranueshëm për të gjitha palët e tanguara dhe modeli i maturës shtetërore të mbetet po ai i cili ka qenë vite më parë. Notat e përfituara nga matura shtetërore, nuk duhet të merren si valide dhe të inkuadrohen në dëftesa, sepse ndikojnë negativisht në suksesin e nxënsësve, ndërkohë që janë plotësisht jo kredibile", u shpreh nxënësi Nikolla Kërstevski.

Nxënësit denoncuan se kanë pasur kërcënime dhe presione që mos të dalin në protestë. Madje sipas tyre, kjo ka ndikuar që jo të gjithë nxënësit t’i bashkohen protestës.

"Edhe pse nga organet më të larta kemi pasur shtypje dhe presion të vazhdueshëm, që protesta mos të mbahet sepse paska prapavijë politike, dhe në forma të ndryshme janë munduar të na ndalin, ne nuk u ndalëm. Ne jemi dhe do të mbetemi të vendosur në kërkimin e të drejtave tona", deklaroi Lalusha Zenuni.

Protesta e nxënësve u mbështet edhe nga prindërit dhe iniciativat qytetare. Ndërkaq, nga Ministria e Arsimit nuk komentuan kërkesat e nxënësve.

Testimi ekstern, ashtu si edhe vitet e kaluara, kishte gabime drejtshkrimore dhe teknike gjatë realizimit. /albeu.com/
Shtuar më 15/02/2016, ora 17:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori