Tentoi të vidhte bankomatin në Kamzë duke përdorur “chip”, bie në pranga pas 8 vitesh autori

Një 38-vjeçar me iniciale A.P. është arrestuar nga policia për shkak se akuzohet për një tentativë vjedhje në një bankomat në Kamëz 8 vite më parë.

Policia bën me dije se ai ka qenë i dënuar në Francë dhe Itali për vepra penale në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Njoftimi i policisë

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Chips”.

Operacioni, nga Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Vihet në pranga një shtetas, i cili në vitin 2014, ka tentuar të vjedhë në bankomatin e një filiali banke, në Kamzë.

Specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të ndodhura parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, në bazë të një procedimi penal të vitit 2014, të rifilluar në prill të këtij viti, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Chips”.

Si rezultat i ketij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit:

– A. P., 38 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale ”Vjedhja e bankave dhe e arkave të kursimit”, mbetur në tentativë, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Francë dhe në Itali.

Shtetasi A. P., më datë 28.06.2014, ka tentuar të vjedhë në bankomatin e filialit të një banke në Kamzë, nëpërmjet përdorimit të një sendi të ngjashëm me kartën bankare.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.