Me blinda dhe forca speciale, policia në kampin e MEK në Manzë pas urdhrit të GJKKO-së

Policia e shtetit po kryen këtë të martë kontrolle në kampin muxhahedin në Manzë të Durrësit.

Policia po ekzekuton një urdhër kontroll të lëshuar nga Gjykata e Tiranës në ambientet në territorin e kampit MEK në Manzë të Durrësit.

Në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar.

Njoftimi i Policisë 

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku  banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.

Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.

Grupet e kontrollit të Policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit MEK dhe në ambientet e brendshme të tij.

Si u strehuan në Shqipëri muxhahedinët?

Muxhahedinët u morën nën mbrojtjen e SHBA-ve  pas ndërhyrjes së tyre të armatosur në Irak në vitin 2003 dhe mbështetjes që ata u dhanë operacioneve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftën kundër terrorizmit

Pasi ushtria e SHBA-ve mori në kontroll gjithë territorin, ky grupim filloi zhvendosjen nga kampi i krijuar në Irak. Në vitin 2013, qeveria shqiptare ra dakord me sekretaren e Shtetit Hillari Klinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë. Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik.

Rotacioni i pushtetit nga qeveria e PD-së tek PS nuk e ndryshoi marrëveshjen e arritur më 2013 për pranimin e muxhahedinëve në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ra dakord me autoritetet amerikane që në Shqipëri të strehoheshin një numër rreth 3 mijë muxhahedinësh iranianë. Me ardhjen e këtij kontingjenti të dytë të opozitës iraniane, u ngrit edhe kampi “Ashraf” në zonën e Manzës në periferi të Tiranës. Këtë hap të tij, në reagimet publike, Rama e konsideroi si një vendim humanitar dhe jo politik.

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta zyrtare, numri i muxhahedinëve që strehohen në kampin e Manzës mendohet se është 3500.

Si qeveria e PD, ashtu edhe ajo e PS, kanë ofruar shumë pak informacion në lidhje me marrëveshjen me SHBA dhe numrin e saktë të muxhahedinëve të strehuar në Tiranë.

Por kush janë muxhahedinët?

Në Iran janë të shpallur si grup terrorist dhe të padëshiruar, ndërsa kanë mbështetjen e SHBA dhe të Perëndimit.

Ishte viti 1965 kur u krijua ky grupim dhe që në fillimet e tyre e deri në vitin 70’ kanë qenë në opozitë me ish liderin e Iranit Mohammad Reza Shah. Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, dhe u shpall si “terroriste” nga Ajetullahu Ruhollah Homeini. Kjo bëri që të detyrohen të largohen nga vendi i tyre, ku një  pjesë emigruan në Perëndim dhe një pjesë shumë e madhe u strehuan në Irak, ku ngritën kampin “Ashraf”.

Në Irak ata u përfshinë në organizimin e aksioneve terroriste dhe destabilizuese kundër regjimit iranian, të mbështetur nga diktatori Husein. Për këtë arsye ata u caktuan si organizatë terroriste nga shumë vende perëndimore përfshi edhe SHBA-të.

Pas konfliktit të SHBA-ve në Irak dhe hyrjes së ushtrisë amerikane në këtë vend për të rrëzuar regjimin e Sadam Husein, muxhahedinët iranianë dolën në krah të SHBA dhe ushtrive të NATO-s.

Për këtë arsye ata u morën në mbrojtje nga ushtria amerikane

/albeu.com/