Nis në Prishtinë gjykimi për ivanoviç, të akuzuarit mohojnë përfshirjen në vrasje (VIDEO)
Gjashtë personat e akuzuar në mesin e tyre hetues policorë, për përfshirje të drejtpërdrejtë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit kanë dalë para Gjykatës Themelore këtë të martë në Prishtinë.

Të akuzuarit: Nedelko Spasojeviq, Marko Rosiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq nuk e kanë pranuar fajësinë për përfshirje në vrasjen e ish-liderit serb, raporton KTV.

Jovanoviq dhe Spasojeviq e pranuan fajësinë vetëm për përdorim të paautorizuar të armëve, por jo edhe për vrasje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit ishin pjesë e një grupi kriminal të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiqiq, të cilët vazhdojnë të jenë në arrati bashkë me Zhelko Bojiqin.

Aktakuza, e cila u ndryshua në dhjetor të 2019-s u lexua edhe në gjuhën serbe.

Sipas Prokurorisë, veprimet e grupit kishin për qëllim realizimin e përfitimeve financiare, si dhe rritjen e ndikimit të tyre politik në Mitrovicë të Veriut.

Sipas aktakuzës, hetuesi policor, Rade Basara, kishte keqpërdorur autoritetin zyrtar pasi nga pozita e tij kishte ndihmuar në fshehjen e provave, për çka akuzohet edhe Nedelko Spasojeviq.

Sipas Prokurorisë, në planifikimin e vrasjesIvanoviqit ka qenë edhe administratorja e zyrës së Ivanoviqit, e cila kishte qenë në njohuri për fikjen e kamerave të sigurisë, si dhe aktivizimin e tyre pak minuta pas vrasjes.

Ndërkohë, në seancën e shqyrtimit fillestar mbrojtja e Marko Roshiqit dhe Nedelko Spasojeviqit kanë kërkuar që të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj tyre.

Mbrojtësit e të akuzuarve kanë kundërshtuar aktakuzën, sepse sipas tyre nuk përmban vendin e kryerjes së krimit, kohën dhe mjetet e kryerjes, duke kërkuar kthimin e saj për përmirësim.

Oliver Ivanoviq u ekzekutua më 16 janar të vitit 2018 para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Shtuar më 11/02/2020, ora 19:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori