Atentati ndaj shqiptarit në Itali: Nga gruaja “boss-e” tek prishja e pazareve të drogës

Dy ditë më parë në plazhin Torvaianica në Romë u qëllua me dy plumba shqiptari Selvadi Shehaj, 38-vjeç.

Shqiptari ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin San Camillo dhe sipas mjekëve me shumë gjasë do të mbetet i paralizuar.

Dosjen e ka marrë tani në dorë anti-mafia italiane e Romës e koordinuar me zëvendësprokuroren Ilaria Calò. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë motivet e atentatit.

Shehaj është bashkëshort i njërës prej pronareve të fabrikës “Bora Bora” me të cilën ka edhe një djalë 3 vjeç. Gruaja është marrë në pyetje, por nuk ka dhënë detaje për autorët apo motivet. Karabinierët kanë këqyrur kamerat e sigurisë në zonë, por nuk kanë gjetur shumë.

Pista më e mundshme është ajo e prishjes së pazareve të drogës. Shehaj u la në arrest shtëpiak 2 muaj më parë (iu gjetën 5 kg kanabis) pasi kishte vuajtur 2 vjet e gjysme burg. “La Repubblica” shkruan se anti-mafia e ka vënë re së fundmi një rritje të aktivitetit kriminal në këtë zonë.

Për këtë shkak edhe Prefekti i Romës ka ngritur një komitet për sigurinë që do të analizojë rritjen e kriminalitetit në zonë, përfshirë edhe atë shqiptar. Edhe anti-mafia thotë se vitet e fundit në zonë ka pasur denoncime të shumta për kërcënime që kishin marrë administratorë biznesesh në bregdet.

Hetimet janë shtrirë deri në vrasjen e ultrasve të Lacios një vit më parë që dyshohet se u ekzekutua nga shqiptarë të lidhur me grupe të Europës Lindore.


Shtuar 22.09.2020 20:02