Plas mes Gjermanise dhe Polonisë

Nga Raphael Minder & Laura Pitel “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në një fushë ky fryn vazhdimisht erë e fortë në Poloninë lindore, një kontigjent ushtarësh gjermanë kanë vënë në punë që nga janari sistemet e mbrojtjes raketore “Patriot”. Kjo njësi përbën praninë më të rëndësishme ushtarake gjermane në Poloni që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjermanët janë pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të forcuar krahun e saj lindor dhe për ta ndihmuar Ukrainën të luftojë kundër Rusinë. Pot prania e tyre po teston edhe marrëdhëniet gjermano-polake, të cilat shumëkush i cilëson si në gjendjen e tyre më të keqe që nga rënia e Murit të Berlinit.

Në fakt, vendosja e ushtarëve gjermanë atje u parapri nga përplasjet e forta politike, ku Berlini refuzoi kërkesën e Varshavës që sistemet e saj “Patriot” të instaloheshin në Ukrainë dhe jo në Poloni. Por sipas komandantit të 300 ushtarëve gjermanë, politikanët grindavecë janë të shkëputur nga situata në terren, ku bashkëpunimi është i mirë.

“Është e vërtetë që ka tensione politike, por ne këto nuk i ndiejmë. Madje unë jam shumë i befasuar nga ndihma pro-aktive që kemi marrë nga polakët, të cilët përgatitën gjithçka për mbërritjen tonë më shpejt nga sa mendoja se mund të bëhej”- thotë koloneli Jörg Sievers.

Ushtarët polakë nuk po merren me menaxhimin e sistemit “Patriot’, por ata ruajnë zonën dhe vendosën 1600 pllaka betoni, mbi të cilat mund të ngrihej infrastruktura për këtë sistem mbrojtës duke shmangur rrezikun e zhytjes në tokën e përbaltur.

Po ashtu, ata gjithashtu flenë në të njëjtat kazerma me gjermanët. Nga pika tragjikisht e ulët e pushtimit nazist të Polonisë, që shkaktoi luftën e fundit botërore në vitin 1939, deri në kulmin e tyre, me përpjekjet e Gjermanisë në mbështetje të anëtarësimit të Polonisë dhe shteteve të tjera ish-komuniste në BE në vitin 2004, marrëdhënia gjermano-polake është vendimtare jo vetëm për dy kombet por edhe për kontinentin në tërësi.

Kjo është e vërtetë sidomos tani që fuqitë perëndimore duan të shfaqin unitet në frenimin e presidentit rus Vladimir Putin, pushtimi i të cilit në Ukrainë e ka vendosur Evropën Lindore në zemër të gjeopolitikës botërore. Por në Berlin, ka një zhgënjim të madh ndaj qeverisë polake të udhëhequr nga partia konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS).

Polonia e ka kritikuar Gjermaninë se është e ngadaltë në dërgimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën por edhe për hedhjen poshtë vitet e shkuara të shqetësimeve të mëparshme polake mbi lidhjet e ngushta ekonomike të Berlinit me Moskën, të mishëruara nga gazsjellësit “Nord Stream”.

Por zyrtarët gjermanë theksojnë se janë furnizuesit e tretë më të mëdhenj në botë të armëve për Ukrainën, dhe se para luftës vetë Polonia ka qenë importuese e qymyrit rus. Ndërkohë qeveria polake ka nisur një padit ndaj Gjermanisë për të marrë dëmshpërblimet e kohës së luftës, dhe e ka akuzuar Berlinin për një kontroll të tepruar të institucioneve të BE-së.

Në vitin 2021, Jarosław Kaczyński, kreu i PiS, e akuzoi Gjermaninë se po përpiqej ta shndërronte BE-në në një “Rajh të Katërt Gjerman”. Retorika e ashpër, ka bërë që në Berlin zyrtarët gjermanë të besojnë se për partinë në pushtet në Poloni “fitimi i zgjedhjeve është më i rëndësishëm sesa pasja e marrëdhënie konstruktive me Gjermaninë”, thotë Jana Puglierin, drejtuese e zyrës në Berlin për Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ndërkaq në Varshavë, disa politikanë të opozitës shqetësohen se veprimet anti-gjermane të qeverisë së tyre, mund të rrezikojnë perspektivat afatgjata të Polonisë, veçanërisht në drejtim të udhëheqjes së rindërtimit të Ukrainës pas luftës dhe ndihmës ndaj këtij vendi për t’u bashkuar me BE-në.

Ukraina dhe Moldavia fituan statusin e kandidatit për në BE në samitin e qershorit 2022. Ndërsa po përplaset me Berlinin, Varshava gjithashtu është përballur veçmas edhe me Brukselin në lidhje me disbursimin e miliardave eurove në kuadër të fondeve të rimëkëmbjes nga kriza që shkaktoi pandemia.

Ato janë pezulluar nga Komisioni Evropian, që e akuzon PiS për mbushjen e gjykatave polake me gjyqtarë miqësorë me mazhorancën qeverisëse dhe që veprojnë në kundërshtim me sundimin e ligjit. Polonia rrezikon ta shndërrojë në pengesë një moment të artë mundësish, thotë ish-ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski, që tani është anëtar i Parlamentit Evropian.

Sipas tij nëse Polonia dëshiron të luajë një rol udhëheqës në fazën tjetër të zhvillimit të Evropës, ajo duhet të rregullojë marrëdhëniet e saj me Brukselin dhe Berlinin. “Unë kam frikë se nëse nuk e bën këtë, vendin e Polonisë mund ta zërë Rumania, e cila është sa gjysma e madhësisë tonë”- shton ai.

Kundërvënia e Polonisë ndaj Gjermanisë i ka rrënjët në tmerret e shekullit të kaluar. Në tetor 2022, Polonia paraqiti një kërkesë zyrtare kundër Gjermanisë për pagimin e 1.3 trilionë eurove si dëmshpërblim për dëmet dhe humbjet e shkaktuara nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Berlini e ka hedhur poshtë kategorikisht këtë pretendim, duke këmbëngulur se çështja u zgjidh që në vitet 1950 me qeverinë e atëhershme komuniste të Polonisë. Po ashtu Gjermania ka paguar kompensime për disa viktima polake të luftës, sidomos për të mbijetuarit e Holokaustit.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha vitin e kaluar se ndërsa “Gjermania e pranon përgjegjësinë e saj historike, çështja e reparacioneve është një çështje e mbyllur nga perspektiva e qeverisë gjermane”. Por kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha për Financial Times shtatorin e vitit të kaluar se Polonia ishte gati për një betejë të gjatë ligjore. “Njerëzit e tribuve Herero dhe Nama pritën 120 vjet për të marrë kompensim. Edhe ne kemi kohë”- tha ai, duke iu referuar një donacioni prej 1.1 miliardë eurosh që Gjermania u zotua të japë në vitin 2021 pas njohjes së masakrës së epokës koloniale të dhjetëra mijëra njerëzve të fiseve në Namibi.

Polonia po bën krahasime me pretendime të tjera. Por një nga veçoritë e kërkesës së saj për dëmshpërblime të kohës së luftës, është se ajo synon vetëm Berlinin dhe jo Moskën, edhe pse Polonia u nda midis Gjermanisë dhe Bashkimi Sovjetik në vitin 1939 dhe Moska më pas vendosi sundimin komunist në Varshavë.

I pyetur pse Varshava nuk kërkon dëmshpërblim nga rusët, sekretari i shtetit Marcin Przydacz tha në një intervistë me FT se “ne e trajtojmë Berlinin dhe Moskën në një mënyrë të ndryshme nga pikëpamja e qytetërimit”. “Me Berlinin, ne besojmë se mund të fillojmë një dialog, por Putin i përket një qytetërimi tjetër. Sapo të ketë një sukses me Gjermaninë, hapi tjetër mund të jetë nisja e një diskutimi të tillë me Rusinë”- theksoi ai.

Por as një fitore e zgjedhjeve nga opozita polake, mund të mos përkthehet në një përmirësim të menjëhershëm të marrëdhënieve me Gjermaninë. Puglierin mendon se shumë nga tensionet gjermano-polake mbi Ukrainën burojnë nga një ndryshim thelbësor në perspektivë që nuk ka gjasa të ndryshojë.

Në këto kushte ajo çka mund të imponojë riparimin e raporteve midis dy vendeve, mund të jetë bashkëvarësia ekonomike. Gjermania mbetet partneri kryesor i biznesit të Polonisë dhe tregtia e tyre dypalëshe u rrit 14 për qind vitin e kaluar. Ndër investimet e fundit, Mercedes-Benz njoftoi në dhjetor 2022 ndërtimin e një fabrike prej 1 miliardë eurosh për të prodhuar furgona elektrikë në Jawor të Polonisë jugperëndimore.

Në një shembull tjetër të bashkëpunimit ekonomik, Gjermania arriti një marrëveshje për të marrë naftën e dërguar nga Polonia në rafinerinë e saj Schwedt si një zëvendësues të furnizimeve ruse. Sipas ekonomistëve, sanksionet kundër Rusisë dhe shqetësimet perëndimore për mbështetjen tek Kina si furnizues, mund të forcojnë lidhjet ekonomike midis dy fqinjëve evropianë.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 5.05.2023 09:08