“Jo faleminderit”, Turqia refuzon ndihmën e Qipros pas tërmetit

Republika e Qipros shprehu gatishmërinë e saj për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit pas tërmetit shkatërrues në Turqi, por pala turke nuk e pranoi ndihmën e ofruar.

Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme qipriote, Kornelios Korneliou, i tha Agjencisë së Lajmeve të Qipros se vendi përcolli këtë gatishmëri si përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile ashtu edhe përmes negociatorit grek qipriot, Menelaus Menelaou, megjithatë, dhënia e çdo ndihme nuk u pranua nga pala turke.

Korneliou shpjegoi se përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile çdo vend anëtar i BE-së mund të shprehë gatishmërinë e tij për të ofruar ndihmë në raste fatkeqësish të tilla si tërmetet.

“Ne, pas konsultimit me Mbrojtjen Civile, shprehëm gatishmërinë për të ndihmuar me një ekip shpëtimi të përbërë nga 21 persona dhe mbrëmë ata na janë përgjigjur ‘jo faleminderit’”, tha ai.

Ishulli i Mesdheut është ndarë midis komuniteteve greke dhe turke qipriote që nga viti 1974. Administrata greke qipriote është e vetmja qeveri e njohur ndërkombëtarisht. /albeu.com


Shtuar 7.02.2023 22:42