Irani i vendos sanksione Evropës

Irani vendosi sanksione të hënën ndaj krerëve të agjencisë së zbulimit dhe të ushtrisë së Britanisë, si dhe ndaj personaliteteve politike britanike dhe gjermane, duke iu kundërpërgjigjur kështu Evropës përpara se ajo të vendoste për sanksione të reja.

Në konferencën e tij javore për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Nasser Kanani fajësoi evropianët dhe britanikët për “ndërhyrje në punët e brendshme të Republikës Islamike të Iranit” dhe tha se sanksionet “hyjnë në fuqi që sot”.

Britania dhe Gjermania kanë bërë kritika veçanërisht të forta ndaj reagimit të Iranit ndaj protestave pothuajse tre mujore të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini.

Gruaja kurdo-iraniane vdiq në paraburgim pas arrestimit të saj nga policia e moralit, e cila e akuzoi për shkelje të kodit të veshjes së Iranit për gratë.

Irani vendosi sanksione ndaj 32 individëve dhe subjekteve duke i paraprirë takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel. Ata pritej të vendosnin sanksione shtesë kundër Iranit për shkak të reagimit të tij ndaj demonstratave
Lista e sanksioneve të Iranit përmendi Ken McCallum-in, drejtor i përgjithshëm i agjencisë vendase të kundërzbulimit, MI5 dhe shefin e shtabit të mbrojtjes, Admiralin Sir Tony Radakin.

Të tjerë të sanksionuar janë anëtarë aktualë dhe ish-deputetë të parlamentit britanik dhe Institutit Tony Blair për Ndryshim Global.

Janë të listuara gjithashtu disa personalitete politike dhe kompani gjermane. Këto përfshijnë Annegret Kramp-Karrenbauer, ish-kryetare e partisë Bashkimi Kristian Demokrat dhe Claudia Roth, komisionere e qeverisë federale për kulturën dhe median.

Të sanksionuar janë gjithashtu revista satirike franceze Charlie Hebdo dhe divizioni në gjuhën perse i Radios Evropa e Lirë (Radio Free Europe), një rrjet simotër i Zërit të Amerikës.

Të sanksionuarve nuk do t’u lejohet hyrja në Iran dhe do t’u konfiskohen pasuritë./VOA


Shtuar 13.12.2022 14:18