Nata e nderit në Jeruzalem, Rama: Hebrenjtë në Shqipëri u shpëtuan nga familjet myslimane e të krishtera

Në përmbyllje të vizitës së tij në Izrael, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në mbrëmjen e së hënës në “Natën e Nderit” në Jeruzalem, ku ishte i ftuar në këtë aktivitet.

Në fjalën e tij, Kryeministri foli për lidhjet historike miqësore midis shqiptarëve dhe popullit hebre, se si këta të fundit gjatë Luftës së Dytë Botërore u strehuan në vendin tonë nga familjet shqiptare.

“Do të tregoj që jo vetëm kjo histori e bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe hebrenjve filloi me Luftën e Dytë Botërore por përfshin shumë shekuj të tjerë. Është e rëndësishme të theksohet për të mos harrohet se hebrenjtë në Shqipëri u shpëtuan nga familjet shqiptare myslimane dhe të krishtera. Ata vunë përpara identitetit fetar atë njerëzor, duke i qëndruar besnikë thënies së vjetër se “Shtëpia shqiptare është e Zotit dhe e mikut”. Miku jo detyrimisht është ai që ftohet, por ai që kërkon ndihmë e troket në derë dhe që mund të jetë i panjohur. Sipas zakonit, miku strehohet dhe mbrohet. Deri më tani, 73 shqiptarë, myslimanë dhe të krishterë, janë njohur si të drejtë ndër kombet dhe shumë të tjerë, duke përfshirë zyrtarë të lartë të asaj kohe që ende presin të njihen si të tillë”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij.

Në Izrael, Kryeministri Edi Rama u prit në takime zyrtare nga krerët më të lartë të shtetit, ku ndër të tjera u diskutua edhe për sigurinë kibernetike.