Homazhet për mbretëreshën, momenti kur roja humb ndjenjat dhe bie me fytyrë në tokë (VIDEO)

Dhjetëra mijëra britanikë dhe jo vetëm që prej ditës së djeshme presin për orë të tëra pafund në radhën e pelegrinazhit popullor të trupit të Mbretëreshës Elizabeth  në Pallatin e Westminsterit, për të nderuar monarken që i kushtoi 7 dekada të jetës së saj në fronin e Mbretërisë së Bashkuar.

Ashtu siç është e natyrshme në kushtet e pritjeve të gjata, lodhja është e madhe, por edhe dëshira e njerëzve për t’i dhënë lamtumirën mbretëreshës së tyre.

Lodhja, megjithatë, nuk është e pranishme vetëm te njerëzit, por padyshim edhe te rojet që qëndrojnë rreth e sipër platformës ku është vendosur prej ditës së djeshme arkivoli i Elizabeth. Këto roje i përkasin tre trupave të ndryshme ushtarake që shërbejnë si truproja dhe roje të pallatit mbretëror.

Daily Mail ka publikuar një video, ku shihet njëri prej këtyre rojeve teksa i bie të fikët mbrëmë dhe ka rënë me fytyrë përtokë në dyshemenë e gurtë të sallës së madhe.

Ngjarja ndodhi teksa kishte filluar ndërrimi i gardës dhe, sipas gazetës britanike, transmetimi i drejtpërdrejtë nga dhoma e Westminsterit u ndërpre për disa minuta pasi policia nxitoi për të ndihmuar burrin.