Vrasja e Jurgen Dukës në market, gjykata i kthen dosjen pas Prokurorisë së Tiranës: Kjo është arsyeja

Gjykata Penale e Tiranës i ka kthyer pas dosjen hetimore Prokurorisë së Tiranës për vrasjen e Jurgen Dukës, më 14 dhjetor 2021. Gjykata ka rrëzuar prokurorinë që kërkon dënimin e policit Arbër Sula duke kërkuar rikualifikimin e veprës penale. Konkretisht, prokuroria arsyeton se vrasja ka ndodhur për shkak të tronditjes psikologjike, ndërsa gjykata parashtron se akuza e ngritur duhet të jetë “Vrasje në rrethana cilësuese”.

Prokuroria pritet tashmë të tërheqë dosjen në ngarkim të ish-agjentit të krimeve, Arbër Sula, të cilit gjykata i rrëzoi më herët edhe kërkesën për gjykim të shkurtuar. Ish-agjenti vrau 29-vjeçarin Jurgen Duka, pas një konflikti banal në market.

Sherri nisi për radhën e pagesës në një market në rrugën ‘Irfan Tomini’. Ai u godit nga Sula, që qëndroi në arrati për gati 3 muaj dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës. Viktima ishte i përfshirë në trafikun e drogës më herët, ndërsa ishte arrestuar në janar të vitit 2020 në operacionin Riviera ku priste edhe ekstradimin./