Gazment Bardhi-Sali Berishës: Je “non grata”, po përdhos dinjitetin e deputetëve duke ardhur nesër në mbledhje

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha se do të jetë pjesë e mbledhjes së grupit parlamentar.

Bardhi shprehet se brenda një partie, nëse dikush nuk respekton vendimin e grupit të deputetëve, kjo parti është personale e jo demokratike.

Sipas tij, deputetët duhet të kenë të drejtë të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur non grata nga SHBA duhet të jetë apo jo pjesë e grupit.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

Një parti ku nuk respektohet vullneti, qëndrimi dhe vlerësimi i Grupit Parlamentar është parti personale, por jo demokratike. Askush nuk duhet ti imponohet apo injorojë mendimin e Grupit Parlamentar, kjo është përdhosje e dinjitetit të çdo deputeti.

Deputetët duhet të kenë të drejtë pa asnjë kompleks apo presion të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur nongrata nga SHBA duhet apo jo të jetë pjesë e grupit. Deri atëherë askush nuk mund të imponohet.

Çdo sjellje tjetër që i imponohet me kokëfortësi grupit parlamentar, pa pyet dhe duke e injoruar atë, është e papranueshme dhe jo demokratike./albeu.com/