U kap duke kaluar drogë drejt Greqisë, shkarkohet doganieri trafikant

Një doganier dhe një 23- vjeçare janë arrestuar në pikën kufitare të Qafë Botës pasi po tentonin të kalonin drogë drejt Greqisë ndërsa mësohet se bëhet fjalë për Arten Ibrahimi që ishte edhe drejtuesi i automjetit dhe Kostandina Meci.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Dogana Shqiptare e cila ka bërë të ditur shkarkimin nga detyra të doganierit me argumentin se konsiderohet shkelje shumë e rëndë kur nga vetë punonjësit e ADSH shkelen ligjet që rregullojnë punën e Doganave Shqiptare, ose që kanë lidhje me të dhe për të cilat janë ngarkuar ti zbatojnë.

Reagimi i plotë:

Shkarkohet nga detyra doganieri që u kap me lëndë narkotike

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gjon Bardhi, ka reaguar duke i zgjidhur menjëherë marrëdhëniet e punës shtetasit Arten Ibrahimi, me detyrë doganier peshore/Pikë Kontrolli, Zyra e Operacioneve Doganore, Dega Doganore Tre Urat.

Zgjidhja e marrëdhënieve të punës me shtetasin në fjalë u bë pas ndalimit nga Policia të tij në Pikën Kufitare të Qafë Botës, ku në mjetin që ai drejtonte u gjet lëndë narkotike.

Për vetë përgjegjësitë veçanta që ka Dogana Shqiptare konsiderohet shkelje shumë e rëndë kur nga vetë punonjësit e ADSH shkelen ligjet që rregullojnë punën e Doganave Shqiptare, ose që kanë lidhje me të dhe për të cilat janë ngarkuar ti zbatojnë.
Në këto kushte, posedimi i lëndëve narkotike përbën shkelje shumë të rëndë të disiplinës në punë, duke ulur imazhin dhe integritetin e ADSH,
cënuar misionin e Doganës në arritjen e standardeve më të larta të etikës në fitimin e besimit të publikut.

Arten Ibrahimi në fakt është doganier tek ‘Tre Urat’ në Përmet dhe jo në pikën kufitare ndërkohë po tentonte ta kalonte drogën me sasi ende të papërcaktuar me automjetin tip ”Toyota” me targë AA 040 TY.


Shtuar 21.02.2020 19:12