Mariza Ikonomi “ndez” çadrën e protestës opozitare (VIDEO)
Në ditë festash, vetvetiu qytetin e pushton një qetësi që njerëzve u mungon në ditët e zhurmshme me shumë trafik në rrugë e me punë. E tillë ishte atmosfera edhe në Tiranë në këtë të diel të Pashkëve.

Edhe pse në rrugë u ndje disi prania më e shtuar e forcave policore për shkak të rreziqeve të mundshme nga sulme terroriste, gjithçka kaloi e qetë, me urime të ngrohta mes besimtarëve e me shkëmbime të vezëve të kuqe, simbol të kësaj dite.

Por ndryshe ishte për çadrën e ngritur mes kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit, aty ku prej rreth 2 muajsh janë “ngujuar” qytetarë që kërkojnë rrëzimin e qeverisë. Është opozita shqiptare e drejtuar nga kryedemokrati Lulzim Basha që nuk beson se zgjedhjet më 18 qershor do të zhvillohen të lira dhe të ndershme nëse Edi Rama vijon të qëndrojë kryeministër. Vetë kreu i Partisë Demokratike ishte i pranishëm edhe këtë të djel në Çadër ku bashkë me urimin për pashkë hodhi edhe akuza në drejtim të kreut të qeverisë.

Por, këtë pasdite, lideri demokrat ka menduar edhe për qytetarët protestues në çadër. Nuk ishte menduar që brenda një çadre me kërkesa politike, të dëgjonim edhe muzikë. Po po. Nuk është një koncert i mirëfillte, por demokratët kanë zgjedhur të sjellin sadopak hare përmes muzikës në këtë ditë feste. Shoqëruar me një kitarë, është këngëtarja e mirënjohur shqiptare Mariza Ikonomi e cila ka kënduar në mesin e çadrës, rrethuar nga protestuesit. Një mënyrë kjo e zgjedhur nga stafi i Partisë Demokratike, për t’i uruar Gëzuar, personave që po i mbështesin në këtë kauzë prej rreth dy muajsh.

“Pashkët sjellin shpresë e besim dhe bëhen më të ëmbla me zërin e Mariza Ikonomit në Sheshin e Lirisë. Ngrihemi Bashkë, Zgjedhje Të Lira, Republika e Re”, shkruan Basha në Facebook teksa ka shpërndarë Live ‘koncertin’ e Marizës./Albeu.com/

Shtuar më 16/04/2017, ora 18:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori