MAQEDONI/ Banorët në pallat argëtohen nën ritmin e muzikës por policia iu bën gjëmën (VIDEO)
Në Itali tashmë është bërë e zakonshme që qytetarët të argëtohen me muzikë gjatë karantinës.

E përderisa në disa shtete evropiane policia me instrumente dhe vallëzim argëton qytetarët, në vendin tonë as edhe një DJ nuk mund të lëshoj muzikë, sepse disa banorëve kjo u pengon.

Në lagjen Veri të Shkupit dje u organizua një koncert mëhalle gjatë orës policore, me qëllim argëtimin e qytetarëve.

Banorët e ndërtesave dolën nëpër ballkonet e tyre, vallëzuan e kënduan me muzikën që lëshonte DJ.

Por kjo atmosferë u shua në më pak se një orë.

Dikush nga fqinjët ishte ankuar dhe policia erdhi në vendngjarje.

Ata u ngjitën për në banesën e DJ dhe kërkuan që të ndërpritet muzika.

Banorët e lagjes Veri u nevrikosën nga ky veprim dhe se iu ndërpre koncerti.

Dj Electron ai që u përkujdes për t’i ngritur humorin e fqinjëve të vet tha se koncerti u prit shumë mire dhe se të njëjtën punë e ka bërë pa ndonjë përfitim financiar.

“Unë e mora guximin të perfomoj para fqinjëve të mi, kjo ishte pa pagesë, nuk është nga koncertet që i financon Qyteti i Shkupit. Shpresoj që në të ardhmen të ketë edhe një rast të tillë. U prit shumë mirë me disa përjashtime të vogla që janë të kuptueshme. Shpresoj se ndonjë herë tjetër do të jetë edhe më mirë”,tha DJ Electron.

Armend Ramadani, i cili është banor i kësaj lagjeje ishte ideator i këtij koncerti. Tha se e ka organizuar me kënaqësi, por nuk ka pritur se dikush mund të ankohet kur të gjithë argëtoheshin.

“Pas këtij depresioni bëmë një aheng miniature, në të cilin u argëtuam të gjithë, besoj që shteti do të na përkrah, sepse unë jam krenar që banorët e lagjes i respektojnë të gjitha rregullat. U mahnita, më besoni që pas shumë viteve u bë, sepse siç e ceka, ne punojmë tërë ditën dhe nuk kemi kohë ta shijojmë këtë bukuri që e kemi”,tha Armend Ramadani.

Koncerte të tilla qytetarët do të mund të ndjekin ditëve në vazhdim. Ato i organizon Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me QIK-un, në kuadër të programet “Kulturë në kohë të koronës”. Qëllim është edhe të angazhohen artistët, pasi për shkak të virusit korona ata kanë ngelur pa punë. Të njëjtit do të marrin honorar nga 14.500 den.
Shtuar më 14/04/2020, ora 23:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori