Bregu: Jo rrallë, kush thotë të vërtetën e paguan një çmim. Por sa të gatshëm jemi ne të shpenzojmë kohë e të gjejmë mënyra për të “vrarë” lajmet e rreme?

Sekretarja e Përgjithshme e RCC në #TalkingPoint mbi disinformimin

Disinformimi është informacion i rremë i përhapur qëllimisht dhe shpesh në mënyrë të fshehtë me qëllim që të ndikojë në opinionin publik ose të errësojë të vërtetën. Lajmet e rreme përhapen gjashtë herë më shpejt se ato të vërteta.

Në këtë edicion të #TalkingPoint Sekretarja e Përgjithshme, Majlinda Bregu, jep këndvështrimin e saj personal në zbërthimin e “lajmeve të këqija”, falsifikimeve të thella (deep fakes), efekteve në përhapjen e lajmeve të rreme, etj.

Disinformimi është një formë lufte. Shtatë nga 10 qytetarë të Ballkanit Perëndimor besojnë se lajmet e rreme janë problem për demokracitë e tyre dhe 74% e shohin atë si një kërcënim sigurie. Një shumicë, ose 57% janë të bindur se mund të njohin lajme të rreme mes atyre të vërteta. Po ju a mundeni?

“Ka një çmim për të paguar kur thua të vërtetën. A e bëjmë dot vërtet? Dhe më e rëndësishmja, a duam vërtet ta dëgjojmë? Lajmi i keq për disinformimin është ai që disinformimi bëhet viral. Kjo nuk është një metaforë. Ky është realiteti. Pra kemi diçka që na shqetëson, ndaj diçka duhet bërë, sepse tregtarët e të keqes do të qëndrojnë në biznes për sa kohë të ketë klientë”, thotë Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së

Sa jemi të gatshëm të shpenzojmë për “vrasjen e lajmeve të rreme” dhe çfarë niveli rreziku jemi të gatshëm të pranojmë? A ka shembuj në rajonin tonë të institucioneve apo think tank-e që mund të përcaktojnë strategji për të luftuar kundër propagandës online? Po formohet ndonjë grup pune qeveritar, po debatohen rregullore të reja, a po nisin nisma të reja nga kompanitë e teknologjisë? Po përhapja e lajmeve të rreme nga partitë politike? A e marrim seriozisht këtë luftë? Po arsimi cfarë roli mund të luaj?

“Ka të vërteta por ka edhe gënjeshtra. Gënjeshtra që thuhen për pushtet dhe përfitim”, përfundon Bregu.


Shtuar 29.04.2023 15:41