Kurti vizitë zyrtare në Tiranë, takohet me Begajn, Presidenca zbardh detaje nga biseda

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet sot në Tiranë.

Kurti u prit mesditën e sotme në Presidencë nga presidenti i Shqiërisë, Bajram Begaj. Dy liderët diskutuan në lidhje mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një njoftimi për mediet, zyra e Presidencës bën me dije se: “Begaj, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.

I ndalur te rezultati i takimit të Ohrit, më 18 mars 2023, kreu i Lartë i Shtetit vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu Kurti pritet të vizitojë edhe kryeministrin Edi Rama. Takimi kokë më kokë Kurti-Rama është planifikuar jashtë ndërtesës së kryeministrisë.

Pas drekës me Ramën, Kurti do të ketë një takim edhe me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta./albeu.com/