Marotta nuk mban më: Kampionati rrezikon mos mbyllet

Shtyrja e 5 takimeve të kampionatit Italian vetëm një ditë para kohës së përcaktuar për zhvillimin e tyre, ka shkaktuar debate të forta në opinionin sportive, ndërsa pas toneve diplomatike në momentet e para, ka ardhur edhe shpërthimi i Administratorit të Deleguar të Interit, Giuseppe Marotta.

Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, ai akuzoi presidentin e Ligës, Dal Pino, se e ka menaxhuar shumë keq këtë situatë, ndërsa shkoi edhe më tej, duke theksuar se Interi është dëmtuar ndjeshëm nga shtyrja dhe se kampionati është falsifikuar.

Pse keni thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Ligës?
Sepse situata me shtyrjen e ndeshjeve u menaxhua shumë keq. Fillimisht u vendos që të luhej me dyer të mbyllura dhe më pas, vetëm një ditë para ndeshjes, vjen vendimi për shtyrjen e 5 prej takimeve, ndërsa presidenti i Ligës nuk u konsultua më parë me asnjë prej klubeve. Kemi thirrur mbledhjen e këshillit të Ligës për të diskutuar për të ardhmen, sepse më shqetëson shumë ajo që do të ndodhë tani e në vijim.

Çfarë ju shqetëson më shumë nga ky vendim?
Më shqetëson ndeshja e të dielës së ardhshme me Sassuolon, pasi tani nuk ekziston më koncepti I të luajturit me dyer të mbyllura dhe nuk e di çfarë mund të bëhet nëse do të jetë e njëjta situatë deri javën tjetër. Me dyer të mbyllura nuk mund të luhet ndaj Sassuolos, pasi është një instrument që vetëm dje u quajt i papërshtatshëm nga Liga. Ndeshjet pa praninë e tifozëve nuk ekzistojnë dhe ky diskutim ka rënë tani e në vijim. Interi është më i dëmtuari nga kjo histori, pasi në maj e pret një kalendar i jashtëzakonshëm dhe deri diku i papërballueshëm.

A rrezikon që kampionati të mos mbyllet?
Patjetër që po. Nëse ne do t’u shkojmë deri në fund të gjithë kompeticioneve, Liga nuk do të gjejë dot një datë për sfidën Inter-Sampdoria. Pyetja tjetër që unë ngre, është pse përcaktohet data e Juventus-Inter, përpara ndeshjes Inter-Sampdoria, që u shty një javë më parë? Kampionati është i falsifikuar, pasi janë prishur tërësisht balancat. Mjafton të mendosh që në javët e fundit do të përballojmë ndeshje çdo tre ditë dhe do të ndikojnë lodhja, dëmtimet e pezullimet, për të kuptuar dëmin që i është bërë Interit nga kjo shtyrje.


Shtuar 1.03.2020 09:17