Liderët e botës nisin marshimin në Paris, mes tyre Rama, Jahjaga dhe Thaçi (VIDEO)
Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka thënë se njerëzit do të vijnë për të treguar dashurinë për lirinë dhe dashurinë e vëllazërisë.

Islamistët radikalë kanë sulmuar këtë javë, javoren satirike franceze “Charlie Hebdo”, duke vrarë 12 njerëz. Ata kanë vrarë po ashtu një police franceze, si dhe katër pengje në një dyqan hebre.

Mijëra policë dhe trupa janë dislokuar në prag të marshimit të sotëm që pritet të nisë në orën 15:00.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, pritet të marrin pjesë në tubim, krahas kryeministrit britanik, David Cameron, kancerlares gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministrit të Italisë, Matteo Renzi, raporton rel.

Mbreti i Jordanisë, Abdullahu II, dhe mbretëresha Rania kanë konfirmuar po ashtu pjesëmarrjen.

Edhe kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe lideri palestinez, Mahmud Abbas, pritet të marrin pjesë, ashtu si edhe presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Bashkimit Evropian, Dondal Tusk, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, dhe presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz.

Por, një parti politike franceze që nuk do të marrë pjesë në tubimin e solidarizimit është Fronti Kombëtar. Kjo parti është kundër imigracionit dhe kundërshton hyrjen e myslimanëve në Evropë.

Udhëheqësja e Frontit Kombëtar, Marie Le Pen, ka thënë të shtunën se ajo nuk do të marrë pjesë në një demonstratë, organizatorët e së cilës nuk e duan.
Tre ditët e dhunës terroriste në dhe përreth kryeqytetit të Francës kanë përfunduar me një bastisje më 9 janar, e cila ka rezultuar me vrasjen e vëllezërve Cherif dhe Saud Kouachi, të dyshuarit kryesorë të sulmit në revistën “Charlie Hebdo”.

Një bastisje tjetër e forcave të sigurisë, të njëjtën ditë, në një dyqan hebre në lindje të Parisit, po ashtu ka rezultuar me vrasjen e një personi të armatosur, të lidhur me Al Kaidën dhe të identifikuar si Amedy Coulibaly. Ky i fundit thuhet se ka vrarë një police franceze më 8 janar dhe katër pengje në dyqan më 9 janar.

Forcat franceze të sigurisë janë ende në kërkim të Hayat Boumeddiene, gruas që është thënë se ka bashkëpunuar me Coulibalyn kur ai ka vrarë policen në jug të Parisit.
Autoritetet franceze e kanë përshkruar atë si “të armatosur dhe të rrezikshme”.

Por, disa burime turke dhe franceze kanë thënë të shtunën se Boumeddiene mendohet se ka hyrë në Turqi më 2 janar, disa ditë para dhunës në Paris, dhe se mund të ketë kaluar kufirin me Sirinë./albeu.com/


Shtuar më 11/01/2015, ora 14:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori