Ulet sërish çmimi i naftës

Çmimet e karburanteve në vend kanë ndryshuar sërish. Lajmin e ka dhënë ministrja e Financave gjatë një konference për shtyp.

Delina Ibrahimaj u shpreh se nafta është ulur me 6 lekë, benzina me 7 lekë dhe gazi me 2 lekë. Tashmë një litër naftë, me pakicë, mund ta blini me 249 lekë, një litër benzinë 242 lekë dhe një litër gaz 83 lekë.

“Çmimet e naftës nga bordi asnjëherë nuk kanë qenë të ndryshme nga bursa. Marzhet bruto të fitimit të kompanive ku përfshihen kostot kanë qenë 5 deri 6%, ndërsa vjet kanë qenë 15%. Kjo është e kuptueshme se çfarë efekti ka pasur bordi”, u shpreh Ibrahimaj.

Njoftimi zyrtar:

Bordi i Transparencës në datë 1 Korrik 2022, në mbledhjen e radhës vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 243 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 231 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 235 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 223 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 81 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 69 lekë/litër për automjetet.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 1 Korrik ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtej vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë./albeu.com


Shtuar 1.07.2022 10:05