Tri raste pozitive me coronavirus në Bundesligë, vështirësohet nisja e kampionatit

Pas fillimit të stërvitjeve në grupe të ndara, klubet e Bundesligës kanë nisur testimin e lojtarëve dhe stafit.

FC Köln ka njoftuar se tre persona brenda klubit kanë rezultuar pozitiv me coronavirus.

Emrat nuk janë bërë të ditur ndërkohë të gjithë lojtarët dhe pjestarët e stafit janë testuar.

Të infektuarit nuk kanë shfaqur simptoma, dhe janë dërguar në izolim për një periudhë 14 ditore.

Klubi ka theksuar se stërvitjet do të vazhdojnë sipas planit, pasi masat mbrojtëse dhe higjenike janë ndjekur me rigorozitet.

“Shëndeti dhe privatësia e lojtarëve dhe puntorëve të klubit është prioritet mbi të gjitha” – u shpreh drejtori menaxhues, Horst Heldt.

Vendimi për rinisjen potenciale të Bundesligës do të merret me 6 maj. Në qoftë se jepet drita jeshile për fillimin e kampionatit nga ana e institucioneve, futbolli mund të nis me 22 ose 29 maj.


Shtuar 1.05.2020 19:12