Konsulli i Kosovës largon shoferin nga puna: Je shumë i shkolluar (VIDEO)
Ajvaz Berisha, konsull i Republikës së Kosovës në Frankfurt, ka larguar nga puna shoferin e kësaj konsullate, Miftar Dragidellën.

Në arsyetimin e vendimit të tij për largimin e Dragidellës nga puna, konsulli Berisha ka shkruar se kualifikimi prej gazetari e shkrimtari nuk përkon me punën e tij si shofer.

Dragidella, ka treguar për KALLXO.com se, arsyetimet e dhëna në vendimin për largimin nga puna nuk qëndrojnë, pasiqë ai përreth gjashtë vite e ka ushtruar pa asnjë problem punën e shoferit në konsullatë dhe për këtë ai ka pasur edhe kontratë të përhershme të punës.

Në vendimin e nxjerrë me datë 17 dhjetor 2015, nga konsulli Ajvaz Berisha, ndër të tjera thuhet se, Miftar Dragidella nuk është i përshtatshëm për vendin e tij të punës, për shkak të moshës së tij (58 vjeçar) dhe se nuk i ka shërbyer sa herë ka pasur nevojë konsulli për shërbimet e tij si shofer.

Por Dragidella tha se mosha e tij asnjëherë nuk ka paraqitur problem që t`i përmbushë detyrat e punës, dhe as kualifikimi i tij nuk i ka paraqitur problem.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kanë deklaruar se janë në pritje të përgjigjeve nga ambasada në Gjermani rreth kësaj çështjeje.

"Jemi në pritje të konfirmimit nga Ambasada në Gjermani dhe në momentin kur i pranojmë, do ju kthejmë përgjigje në pyetjet tuaja", ka thënë Artan Behrami, nga zyra për media e MPJ-së. /albeu.com/
Shtuar më 16/01/2016, ora 11:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori