“Kokërr krimineli”, kush është gjyqtari për të cilin foli Rama (VIDEO)
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sot ashpër gjykatësit e prokurorët, të cilët sipas tij kanë ngritur një grup të quajtur KÇK (Kap çfarë të kapësh).

Rama foli për një gjykatës që kishte dhënë një urdhër mbrojtjeje për një burrë që e kishte bërë gruan gjysmë njeriu. Rama e cilësoi kriminel gjykatësin që e kishte vënë në mbrojtje burrin.

“Është koha të marrim masë ekstreme, po aq sa është veprimtaria e këtyre kriminelëve, në prokurori, gjykata, rrugë që janë bashkë e bëjnë të njëjtën gjë edhe kur nuk janë bashkë.

Ca është ky që vë në mbrojtje burrin dhe kundërshton vendimin që ai nuk duhet t’i afrohet gruas pasi e ka bërë gjysmë njeriu? Është një kokërr krimineli.

Po të ishte e njohura juaja ajo, do vinit këtu e do i binit qeverisë, ose do vinit e do thoshit fjalim emocional, si ky imi, që nuk vlen asgjë nëse nuk veprojmë.

Nuk lejojmë ne më që vendi të mos bëjë kapërcimin e fundit historik në raport me këta palaço, në prokurori, gjykatë e rrugë, të jeni të sigurt që do ta marrim mbështetjen, nga populli nuk diskutohet por edhe nga partnerët”, deklaroi kryeministri Edi Rama në parlament.

Por për cilin gjykatës fliste shefi i qeverisë? Ditën e djeshme Top Channel publikoi rastin e një gruaje që akuzonte gjyqtarin e Shkallës së Parë Martin Deda se ka dhënë një urdhër mbrojtje në kundërshtim me ligjin për ish-bashkëshortin e saj.

Gjyqtari Deda, sipas dëshmisë së gruas kishte hedhur poshtë vendimin e një tjetër gjyqtari që i kishte dhënë urdhër mbrojtjeje gruas ku thoshte se ish-bashkëshorti nuk duhet t’i afrohej shtëpisë dhe asaj 100 metra.

Deda i jepte burrit urdhër mbrojtje të menjëhershëm dhe thoshte se duhet të futej në shtëpi bashkë me dy fëmijët dhe ish-bashkëshortja të mos e shqetësonte.

“Ai është një biznesmen i fuqishëm në Shqipëri dhe vendosën t’ia jepnin atij të dy fëmijët. I jam drejtuar organeve të vettingut, i kam dërguar letër presidentit, shkruar kryeministrit dhe do të vazhdoj sërish pasi qëllimi im është vetëm fëmijët. Nuk munden dy fëmijë të mitur të shkëputen nga nëna, për sa e njoh unë ligjin fëmijët shkëputen kur nëna është e droguar, kur nëna është me aftësi të kufizuara, gjë që unë nuk kam asnjë nga këto”, u shpreh gruaja, shkruan TCH.

E divorcuar dhe me një urdhër mbrojtjeje, ajo rrëfeu se jeta e saj është kthyer tashmë në një luftë mes gjykatave.
“Gjyqtari Artan Boci thoshte që zoti filan nuk duhet t’i afrohet banesës dhe zonjës 100 metra, ndërkohë që tre ditë më vonë gjyqtari Martin Deda dha një urdhër tjetër mbrojtjeje ku thoshte se zoti filan fisteku duhet të futet në banesë së bashku me dy fëmijët.

Tani ne na ka mbetur vetëm të vritemi pasi një gjyqtar thotë kështu , një thotë ashtu, nuk e di se kush i kontrollon këto gjykata. E them rastin e urdhrit të mbrojtjes sepse dua të tregoj se çfarë bëjnë gjykatat shqiptare, si korruptohen gjykatat shqiptare se nuk mund t’i japësh urdhër mbrojtjeje një burri që është 1.80 ndaj një femre…”, tha nëna e dy fëmijëve.
Shtuar më 09/10/2019, ora 18:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori