“Jam i pafajshëm”, çështja McGonigal, Rama: Le të besojnë se jam djalë i Satanit

Kryeministri Edi Rama ka folur për dosjen McGonigal dhe përfshirjen e tij në skandalin e ish-agjentit të FBI-së, i cili u arrestua një muaj më parë në Nju Jork.

Në një intervistë në emisionin “Opinion” Rama tha se është i pafashjëm dhe se nuk ka lidhje më këtë çështje.

Sipas Ramës përmendja e emrit të tij në aktakuzë është kontekstuale, duke thënë se opoziat mund të thojë çdo gjë për të, por insistoin se është i pafajshëm.

“Ata kanë të drejtë që të besojnë që unë jam djali jo i Kristaq Ramës, por i Satanit, por nuk kanë asnjë shans që të përdorin parlamentin për ta kthyer atë hapësirë në hapësirë manipulimi dhe propagande pa asnjë bazë”, tha Rama.

Rama është shprehur i prerë ndaj kërkesës së opozitës lidhur me ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen e McGonigal dhe lidhjet që ai kishte me kryeministrin.

Ai tha se nuk do e pranojë ngritjen e këtij komisioni, teksa më tej theksoi se lidhur me këtë çështë ai është i pafajshëm dhe se nuk ka lidhje me skandalin ku është përfshirë ish-agjenti.

“Jo i pafajshëm, po s’kam lidhje fare. Nuk keni arritur në pikën që unë të pretendoj që ju merreni me trafik droge dhe unë dua t’ju hetoj. Kjo ndodhte në kohën e diktaturës. Që ngrihej akuza dhe pastaj mblidheshin provat. Kjo nuk ka për të ndodhur sepse ky është një abuzim ekstrem me gjithçka, me çdo normë etike, me çdo normë të lirisë dhe të drejtave të njeriut, me çdo normë të bashkëjetesës institucionale.Ata kanë të drejtë që të besojnë që unë jam djali jo i Kristaq Ramës, por i Satanait, por nuk kanë asnjë shans që të përdorin parlamentin për ta kthyer atë hapësirë në hapësirë manipulimi dhe propagande pa asnjë bazë. SHBA nuk ka kërkua asgjë nga mua. Shiko konkluzionin e aktakuzës, në aktakuzë nuk ka as konkluzion, as gjë. Atje ka që ai njeri nuk ka deklaruar fluturime. Të gjithë përmendjet për emrin tim janë kontekstuale”, u shpreh Rama.

McGonigal përballet me dy akuza, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Në rastin e dytë, në akuzën në D.C., McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë. I pari referohet në aktakuzë si Personi A, një shqiptar i natyralizuar amerikan me banim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare dekada më parë. Personi në fjalë i ka dhënë paratë McGonigalit, mes të tjerash që ky i fundit të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një lobues që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”.

Akuzat që rëndojnë ndaj tij lidhen me faktin se ai ka dështuar të raportojë në sistemin e mbrojtjes së integritetit të zyrtarëve të FBI-së përfitimet në para të thata dhe në mbulime shpenzimesh udhëtimi si dhe takimet me zyrtarët e huaj, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë.

“Në vjeshtën e vitit 2017, në vendbanimin e Personit A në Nju Xhersi, i pandehuri McGonigal mori dy herë më shumë para të thata nga Personi A në sasitë afërsisht 80 mijë dhe 65 mijë dollarë,” shkruhet në aktakuzë.

“Në 16 tetor 2017, i akuzuari McGonigal plotësoi një FD-772b (formular i brendshëm i FBI-së) në lidhje me udhëtimin e tij në shtator në Shqipëri dhe Kosovë. Plotësimi dështoi në mënyrë të papërshtatshme të raportojë se i akuzuari McGonigal u takua me kryeministrin e Shqipërisë në Shqipëri dhe një politikan në Kosovë dhe në mënyrë të pavërtetë mohoi së i akuzuari McGonical kishte deklaruar punësimin e tij për një shtetas të huaj jashtë punës zyrtare të FBI-së,” shkruhet më tej në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, zyrtari i FBI ka udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë dhe është takuar me Ramën në disa prej këtyre vizitave. Aktakuza në D.C. vëren se “as FBI dhe as McGonigal nuk pagoi për hotel ndërsa gjendej në Shqipëri.”

Sipas akuzës, McGonigal u takua me Personin A në gusht 2017 dhe e pyeti nëse ai mund t’i jepte atij para. Në 5 shtator 2017, ai udhëtoi në Shqipëri si qytetar privat, një udhëtim që e deklaroi në FBI, por për të cilin, dështoi të thotë se shpenzimet e udhëtimit do të paguheshin nga personi A dhe se gjatë udhëtimit, ai u takua me një të dytë, të quajtur Personi B, bashkë me të cilin takoi kryeministrin Edi Rama.

Personi B përshkruhet si këshilltar informal i kryeministrit Edi Rama, i tillë që kishte një adresë emaili zyrtare të qeverisë, ndërkohë që ishte i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Gjatë këtij udhëtimi, McGonigal raportohet të jetë takuar edhe me një person tjetër të përshkruar si “biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i pati kërkuar McGonigal të hetojë një tentativë për vrasje kundër tij.

“Si mbajtës i certifikatës kombëtare të sigurisë, i akuzuari McGonigal duhej të raportonte saktësisht dhe plotësisht te FBI informacionin në lidhje me kontaktet e tij me zyrtarë të huaj si dhe asetet dhe detyrimet e tij financiare,” shkruhet në aktakuzë.

/albeu.com/


Shtuar 16.02.2023 21:41