Arrestohen të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha të mërkurën në mbrëmje se janë arrestuar tre personat e dyshuar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, drejtor i portalit ‘Gazeta Metro’ në Prishtinë. Gazetari Syla u sulmua të martën në mbrëmje dhe u trajtua për lëndime në kokë në spitalin e Prishtinës.
Ndërkaq në një komunikatë të Prokurorisë së Posaçme dhe policisë së Kosovës, thate se te dyshuarit u arrestuan “pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit”.

Tre të arrestuarit dyshohet se kanë kryer veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mos durimit”, thuhet në komunikatë.

Zoti Syla në një postim më të gjatë në rrjetet sociale tha se është sulmuar fizikisht ndërsa po hynte në një kafene në kryeqytet, nga tre persona të cilëve ai vet iu referua si “islamik fanatik”. Ai tha se sulmi sipas të gjitha gjasave ka të bëjë me disa reagime të tij rreth ngjarjeve në Bashkësinë Islame të Kosovës, të cilat sipas tij “kanë nxitur komunitetin e militantëve islamik të organizojnë sulm fizik të paramenduar”.

“Ajo që më shqetëson personalisht në këtë rast është që reagimet përpos që ishin të faktuara, kishin dhe doza të theksuara të humorit. Dhe kjo nuk po pranohet nga një komunitet islamik që sillet me tipare mesjetare dhe nuk po arrin të pranojë humorin dhe fjalën e lirë, shpalos te ata zymtësinë e theksuar te mendimit dhe mentalitetit të tyre”, tha ai.

Zoti Syla tha se “frikësimi i masave, dhuna dhe të gjithë ata që predikojnë kundër lirive dhe veprojnë si përcjellës të kësaj fryme fanatike, nuk janë as për paqe dhe as për liri. Ky është rreziku që po na kanoset të gjithëve”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënoi sulmin duke e cilësuar atë “papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë”.

Sulmi u dënua ashpër nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, e cila u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të zhvillojnë hetime të pavarura dhe profesionale dhe që të sjellin kryesit e veprës para drejtësisë.

Ricardo Gutierrez, nga Federata e Gazetarëve të Evropës duke e dënuar sulmin, tha se ky është një rast i mirë për Kosovën që të hartijë një plan kombëtar për zbatimin e standardeve evropiane mbi sigurinë e gazetarëve.

“Politikbërësit duhet të kenë guximin për të vepruar. Të qëndrosh pasiv është të jesh bashkëpunëtor i sulmuesve”, shkroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në nisje të mbledhjes së qeverisë të mërkurën se sulmi ndaj gazetarit Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.

“Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha kryeministri Kurti, duke kërkuar nga organet e rendit që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha në një reagim në rrjetet sociale se sulmi ndaj gazetarit Valon Syla është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike.

“Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare”, tha zoti Konjufca.

Sulmi u dënua gjerësisht nga punonjësit e medieve dhe përfaqësues partish politike në vend.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se numri i sulmeve ndaj gazetarëve të raportuara në këtë institucion ka shënuar rritje nga viti në vit.

Në vitin 2020 ta zëmë janë raportuar 24 raste, në vitin 2021 – 29 raste, në vitin 2022 – 33 raste. Ndërsa gjatë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar dhjetë raste të sulmeve ndaj gazetarëve.


Shtuar 13.04.2023 08:27