Alarme për eksploziv në shkollat e Podgoricës, policia evakuon nxënësit dhe mësuesit

Disa shkolla fillore dhe të mesme në Podgoricë u evakuuan të hënën pasi morën njoftime përmes postës elektronike për vendosjen e mjeteve shpërthyese.

Policia malazeze tha se ka marrë masa lidhur me njoftimet dhe për sigurinë e nxënësve dhe qytetarëve.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, Ministria e Arsimit u rekomandoi të gjitha shkollave që nxënësit dhe punonjësit të largohen nga mjediset shkollore.

“Duke pasur parasysh se në periudhën paraprake jemi përballur me me raportime të këtij lloji, të cilat fatmirësisht kanë qenë të rreme, ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të veprojnë me qetësi dhe përmbajtje, sikurse në rastet e mëparshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Alarmet e shumta që dolën të rreme për mjete shpërthyese të vendosura në shkolla ndodhën edhe në prill të këtij viti, kur të gjitha shkollat në Mal të Zi u evakuuan.