“Më i avancuari i llojit të tij”, Izraeli dhe Gjermania në negociata “të avancuara” për shitjen e sistemit të mbrojtjes raketore Arrow 3

Izraeli dhe Gjermania janë në “negociata të avancuara” për shitjen e sistemit të mbrojtjes ajrore izraelito-amerikane Arrow 3 (IAI/Boeing) për forcat e armatosura gjermane, njoftoi të enjten Ministria izraelite e Mbrojtjes.

Moshe Patel, kreu i ekipit negociator të Izraelit, foli për një “piketë të rëndësishme” në forcimin potencial të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

“Ne presim një proces të frytshëm negocimi në javët në vijim”, shtoi ai.

“Arrow 3” do të jetë pjesë e sistemit të mbrojtjes kundër raketave të Evropës. Izraeli siguron se është “më i avancuari i llojit të tij”, se është i aftë të përgjojë armë edhe 100 kilometra mbi atmosferë, në hapësirë.

Negociatat nisën menjëherë pasi ushtria ruse pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Megjithatë, ajo është shtyrë për shkak se SHBA nuk i ka dhënë ende dritën jeshile eksportit të saj.

Sipas mediave izraelite, kostoja për njësi e sistemit Arrow 3 është 2.5 miliardë euro.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se blerja do të shënonte një “hap shumë të madh përpara” në bashkëpunimin dypalësh.

Netanyahu komentoi më vonë, gjatë një takimi të kabinetit të tij, se negociatat tregojnë se sa shumë kanë ndryshuar fatet e hebrenjve.

“Në Holokaustin, hebrenjtë ishin të pambrojtur kundër Gjermanisë naziste. Tetëdhjetë vjet më vonë, Gjermania dëshiron të blejë sisteme mbrojtëse nga shteti hebre”, tha ai.

Arrow 3 plotëson sistemin Iron Dome, i cili është i aftë të përgjojë raketa me rreze më të shkurtër veprimi, si pjesë e modelit të integruar të mbrojtjes ajrore të Izraelit./Albeu.com/


Shtuar 21.04.2023 09:38