Dorian Keqi mohon përfshirjen në vrasjen e Saimir Jakut: Nuk kam lidhje, punoj me llaç e tulla

Dorian Keqi, personi i arrestuar më 26 korrik 2022 nga Policia e Lezhës si i dyshuar në vrasjen e ish-drejtorit të OST-së në Rrëshen, Saimir Jaku, do dalë para gjykatës së këtij qytetit për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”.

Kjo masë sigurimi është kërkuar nga prokuroria, pasi ndaj Keqit deri në këtë fazë të hetimit është ngritur akuza e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të Saimir Jakut dhe “Plagosjen e rëndë me dashje” ndaj shtetasit Gjergj Prenga.

Vrasja ka ndodhur në shtator të vitit 2016 në Rrëshen, por 6 vjet nga krimi i rëndë, policia pretendon se ka identifikuar një nga autorët.

Sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë gjurmët e gishtave të Dorian Keqit, janë fiksuar në një kuti shkrepëse dhe një bidon me benzinë, sende këto që janë konstatuar disa metra larg vendit ku policia gjeti makinën e djegur, të përdorur në vrasjen e Jakut.

Gjatë marrjes në pyetje, Dorian Keqi i ka thënë policisë se ai nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se gjatë gjithë kohës ka punuar si punëtor krahu, që bën mure dhe llaç.

Keqi nuk ka pranuar autorësinë e krimit, megjithëse gjurma e gishtit e tij, ka dalë në bidonin e benzinës dhe në kutinë e shkrepëses. Dy sende këto që kanë shërbyer për zjarrvënien dhe djegien e makinës së përdorur në krim.

Më tej Keqi, u ka kërkuar hetuesve që ta linin të lirë, pasi nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen e vrasjes dhe se vetë ai nuk kishte qënë asnjëherë në jetën e tij në atë zonë.

Pavarësisht pretendimeve të tij, prokuroria i është drejtuar gjykatës së qytetit të Lezhës, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Dorian Keqit nga Kruja./Oranews/


Shtuar 28.07.2022 10:57