Humbën bindshëm përballë Ramës, PD kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark të rëndësishëm

Grupi i juristëve të PD ka dorëzuar në KAS dosjet voluminoze me ankesat për parregullsi në procesin zgjedhor të 25 Prillit në 9 qarqe.

Partia më e madhe opozitare kërkoi rivotim në Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë, sepse, sipas saj, procesi zgjedhor më 25 prill nuk ishte i drejtë dhe vullneti i zgjedhësve u deformua.

Bashkë me kërkesat, Partia Demokratike e opozitës dorëzoi dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një seri dosjesh me ankesa për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

‘Veçanërisht e vërtete është kjo për Qarkun Shkodër ku diferenca ndërmjet PSD dhe PD ishte 2074 vota për mandatin e deputetit, ndërsa numri i votave të pavlefshme 6112 vota’, bën me dije PD.

Në dosjen e depozituar nga PD në KQZ, theksohet se ‘janë kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) shtetasit Benet Beci, kandidat për deputet i renditur i treti në listën shumemërore të Partisë Socialiste në Qarkun e Shkodër, Tom Doshi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës dhe Shkodrës, Mark Frroku, person me rekorde kriminale, Gjon Gjonaj, Kryetar i Bashkisë Pukë, Ndue Luka, Lek Luka, Zef Luka, Vasil Muslia, Drejtor i HEC Fierzë, Shkurt Lasku, pronar i hoteli në Bicaj, Ndriçim Lasku, punonjës i Njësisë Administrative Qerret, Bashkia Pukë, Arben Guga, Këshilltar në Bashkinë Pukë, Florian Kolaj, Administrator i Njësisë Administrative Qelëz, Bashkia Pukë, Sokol Frroku, shofer i kryetarit të Bashkisë Pukë, Dritan Frroku, pronar i ‘Odës së Kabashit’, Njësia Administrative Rrapë, Bashkia Pukë dhe Dake Hajdari (Curri), të cilët me veprime konkrete kanë konsumuar veprat penale të ‘Shpërdorimit të Detyrës’ dhe ‘Korrupsionit aktiv në zgjedhje’’.

Ata cilësuan si antikushtetuese ndryshimet e Kodit Zgjedhor, si dhe theksuan që ndryshimet me urdhër politik të fletës së votimit sollën zhvleftësimin e 83 mijë votave baraz me afro 8 mandate deputetësh.

Partia Demokratike tha se qeveria pamundësoi votat e emigrantëve shqiptarë në tërësi dhe deri tek karantina 3 ditore për të penguar në kufi emigrantët të vinin në atdhe fizikisht për të votuar.

Po sot edhe LSI ankimoi procesin zgjedhor të Beratit dhe kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve në atë qark. Më herët LSI kërkoi mosnjohjen e zgjedhjeve në zonën e Gjirokastrës.


Shtuar 10.05.2021 17:11