Shpëtuan nga bombardimet, qytetarët ukrainas në Shqipëri të shtangur: Kam lënë prindërit, dua të kthehem të luftoj

Raketat e hedhura nga Rusia mbi Ukrainën në orët e para të mëngjesit shënuan nisjen e luftës. Sirenat e emergjencës gjëmuan në kryeqytetin e Kievit, në orën 5:55 të mëngjesit me orën e Moskës, duke zgjuar të alarmuar qytetarët të cilët kanë filluar masivisht të largohen për shkak të frikës nga lufta.

Si mijëra qytetarë sot, 5 vite më parë, Iryna Odyntsova zgjodhi të braktisë vendlindjen e saj Donteskun për shkak të luftës, duke ardhur në Shqipëri për një jetë më të qetë. Në një intervistë për gazetaren e abcnews.al Beklie Koltraka ajo rrëfen kujtimet e tmerrshme që ka përjetuar në vendlindjen e saj, sot nën pushtimin e Vladimir Putin, që kur njohu pavarësisë e rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk.

“Jam nga Dontesku. Kam jetuar atje para luftës, por kam 5 vjet që jetoj në Shqipëri. Kjo situatë është shumë e vështirë. E kam të veshtire të flas në këto momente! Jeta ime është atje”, tha ajo për abcnews.al

Vendimin e Putin për të njohur rajonet e Donetskut dhe Luhanskut si shtete të pavarura, Odyntsova thotë se nuk e ka përjetuar mirë. “Jo! Donetsk është Ukrainë”, thotë ajo duke e kundërshtuar me forcë.

5 vite më parë u largua nga Donetsku e tmerruar nga bombardimet e forcave ruse. Ndonëse ka filluar jetën e saj nga e para në Durrës ku punon në një pastiçeri, megjithatë Odyntsova kokën dhe zemrën e ka në Ukrainë. Ajo thotë se atje ka prindërit të cilët e kishin të vështirë të braktisnin shtëpinë.

“Lufta më detyroi të largohem! U bombarduam! Luftë për 8 vjet! Ika nga lufta! Ato vite ishin shumë të frikshme! Të bombarduar gjithë natën! Prindërit e kanë të vështirë të largohen nga shtëpitë e tyre, por u larguan”, shtoi ajo.

Dhimbjen që po ndien sot gjithë bota, ajo tregon se e ka përjetuar për ditë e netë me radhë në Dontesk. Mesazhi i vetëm që mundi të japë nga Shqipëria për bashkëkombasit e saj që po bëjnë luftë për mbijetesë në Ukrainë është ky: Ju uroj një qiell të qetë mbi kokën tuaj! Natën e mirë dhe ditën e mirë! Uroj që i gjithë ky tmerr të ndalet menjëherë! Jeta e njeriut është e çmuar”.

Kostantin Mahalov një tjetër qytetar ukrainas, që prej disa vitesh jeton në Durrës, është tronditur nga zhvillimet e fundit në Ukrainë, pasi atje ka të afërmit e tij dhe miqtë. Për të shpëtuar të afërmit e tij nga ky tmerr ai shpreh dëshirën për të shkuar në Ukrainë ndonëse një numër i njerëzisht janë parë nëpër rrugët e Ukrainës për të gjetur një strehë që t’u mbrojë kokën.

“Më falni, nuk dua të flas, shumë e vështirë situata, jam në Shqipëri tani, por dua të shkoj në Ukrainë”, tha ai për abcnews.al duke mos shpjeguar asgjë më shumë.

Rusia nisi në orët e para të mëngjesit pushtimin e Ukrainës me sulme simultante që vinin nga jugu, lindja dhe veriu, nga toka dhe nga ajri. Raketa dhe bomba ranë nga qielli. Shpërthimet vijojnë të dëgjohen në të gjithë vendin nga të gjitha anët. Lufta sipas një zyrtari të mbrojtjes në SHBA është në fazën fillestare. Më shumë se 4 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar deri më tani përtej kufirit nga Ukraina në Moldavi. Largime të tjera masive priten në vijim të kësaj lufte. Qeveria shqiptare ka ndezur dritën jeshile për nevojat e shprehura nga ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov. Ky i fundit deklaroi se pas sulmit nga Rusia, ndaj autoriteteve shqiptare ka pasur një apel për ndihmë nga qeveria ukrainase, kryesisht me karburant./abcnews.al


Shtuar 24.02.2022 18:35