Flet nëna e 31-vjeçarit që u vetvra

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Komisariatin e Kavajës, ku 31-vjeçari Ilvi Meta u gjet i pajetë.

E ëma e tij Zinie Meta ka folur eksluzivisht për emisionin “Sot” në “Euronews Albania”, ku pretendon se djali i saj është vrarë nga policia dhe se këtë çështje duhet ta ndjekë shteti.

“Ma vranë. Megjithëse ma kapën, por ma kanë vrarë. Djali ka qenë i operuar me stomak, ma kanë vrarë. Policia. Më sollën rripin e djalit. Ato që ma kanë vrarë djalin, nuk di çfarë të them, ta shohë shteti. Unë nuk jam mësuar me vjedhje, jetoj në barake”, u shpreh ajo.

Ditën e djeshme, Policia e Shtetit njoftoi se 31-vjeçari dha fund jetës në Komisariatin e Kavajës, duke varur veten. Në një njoftim zyrtar për ngjarjen policia sqaroi se Ilvi Meta ishte ndaluar ditën e djeshme, pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për vjedhje. Në lidhje me ngjarjen e rëndë janë arrestuar nga Policia në orët e para të mëngjesit të së enjtes 3 punonjës të policisë së Kavajës.