Mickoski: Nuk presim drejtësi nga apeli

VMRO-DPMNE-ja do ta shqyrtojë mundësinë që ta dërgojë deri në Gjykatën e Strasburgut vendimin gjyqësor për konfiskimin e pronës, të selisë kryesore të partisë dhe 30 selive të tjera lokale.

Por fillimisht, kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski, tha se do të ankohen në Gjykatën e Apelit.

“Ne do të dërgojmë ankesë pranë Gjykatës së Apelit kur me shkrim do ta marrim aktgjykimin. Nuk presim që diçka të ndryshojë në këtë gjyqësi të partizuar por do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat ligjorë që kemi në dispozicion dhe do ta shqyrtojmë edhe mundësinë të hapim lëndë edhe para Gjykatës së Strasburgut. Drejtësia do të dëshmohet”, Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

Proces i montuar politik nga pushteti është për VMRO-DPMNE-në vendimi gjyqësor për rastin “Talir 2”, kurse Mickoski numëroi çështjet që i konsideron kontestuese në procedurë. Vendimi, thotë ai, është shkruar më herët, procedura është jashtë afateve ligjore për procedimin e lëndëve të ish Prokurorisë Speciale, është konfiskuar objekti por jo toka në të cilën është ndërtuar, nuk është dëgjuar nga gjykata përfaqësuesi i partisë sipas ligjit për procedurë penale, etj.

“Procesi ka shumë mangësi. Sulmi është i qartë sepse VMRO-ja është afër formimit të shumicës dhe kur VMRO-ja është afër shumicës frikësohen kriminelët. … Të gjithë bashkohen kundër VMRO-së dhe kundër meje personalisht. Ata mendojnë se do të na japin këtë sulm dhe ne do të dorëzohemi. Jo, kjo na bashkon edhe më shumë brenda në parti”, Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

Gjykata Penale ditë më parë vendosi të konfiskojë selinë qendrore të VMRO-së dhe rreth 30 seli lokale në lëndën e njohur si “Talir 2”.

Sipas aktakuzës, ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish sekretari i përgjithshëm i partisë Kirill Bozhinovski, nga viti 2011 deri në vitin 2016, kanë shfrytëzuar fuqinë e tyre nga pozita e pushtetit për të siguruar një seli të re partiake me vlerë shtatë milionë euro.

LSDM-ja thotë se “Talir 2” konfirmon krimin e pushtetit të kaluar dhe se VMRO-DPMNE-ja duhet t’i kthejë paratë e vjedhura te qytetarët dhe Mickoski të kërkojë falje./alsat