Historiku i zgjedhjes së Presidentit të Republikës pas ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2008-të, po këtë herë çfarë ndodh?

Ndryshimet Kushtetuese të 21 prillit të vitit 2008-të, ndryshuan dhe mënyrën se si do të zgjidhej Presidenti i Republikës.

Palët në atë kohë pas vështirësive dhe mosmarrëveshjeve që kishin patur për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit çdo 5 vjet, pasi në të gjitha raundet duhej shumicë e cilësuar, çka më pas rrezikonte dhe zgjedhjet e parakohshme, vendosën të ndërhynin në Kushtetutë dhe të ndryshonin mënyrën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Sipas ndryshimeve Kushtetuese të bëra në vitin 2008-të u përcaktua që Presidenti i republikës të zgjidhej në pesë raunde, ku në 3 raundet e para duhej shumicë e cilësuar, pra duheshin 84 vota, ndërkohë që në raundin e katërt dhe të pestë të zgjidhej me shumicë të thjeshtë, vetëm me 71 vota.

Testi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri pas ndryshimeve Kushtetuese

Që të aplikoheshin ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri duhet të kalonin 4 vite, kohë kur i përfundonte mandati Presidenti Bamir Topi, i zgjedhur në vitin 2007-të sipas Kushtetutës së vjetër, pra me shumicë të cilësuar.

Në vitin 2012-të në krye të shtetit u zgjodh Bujar Nishani, pas 4 raundesh votime, vetëm me votat e mazhorancës, pasi në 3 raundet e para palët nuk arritën të gjenin konsensusin për një emër të përbashkët, ku PD në atë kohë propozoi Xhezair Zaganjorin i cili mbante postin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe më pas analistin Artan Hoxha, i cili u tërhoq nga procesi pak çaste para votimit.

Ndërkohë që në lojë për kreun e ri të shtetit në atë kohë u vetëofrua edhe ish-kryeministri dhe ish-lideri socialist Fatos Nano, por që nuk gjeti mbështetjen e asnjërës forcë politike për ta propozuar si emër.

Pas ezaurimit të 3 raundeve të para, në 11 Qershor 2012-të, PD bashkë me aleatët në parlament zgjodhën me shumicë të thjeshtë Bujar Nishanin si President, i cili më herët kishte mbajtur postin e Ministrit të Brendshëm në qeverinë Berisha 2.

Ilir Meta president në vitin 2017-të

Ndërkohë që në vitin 2017-të, mazhoranca PS-LSI edhe pse i kishte votat për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, e zgjodhi Presidentin vetëm në raundin e katërt. Në 28 prill 2017, Parlamenti zgjodhi Ilir Metën President të Shqipërisë, me 87 vota pro dhe dy kundra. Kundër Metës, i cili mbante postin e Kryetarit të Kuvendit, votuan Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi. Meta u propozua nga deputetët e PS-LSI-së, në atë kohë në aleancë qeverisëse. Meta ishte kandidati i vetëm dhe u zgjodh në raundin e katërt, pas konsumimit formal të tre raundeve të parave, ku presidenti parashikohet të zgjidhet me 3/5 e votave të Kuvendit, ndërsa në raundet e katërt dhe të pestë mund të zgjidhet me 71 vota. Partia Demokratike, opozita zyrtare, u deklaruar kundër kandidaturës së Ilir Metës dhe bojkotoi procesin. Meta mori detyrën në datë 24 korrik, kur i skadoi mandati presidentit Bujar Nishani.

Presidenti i ri në 2022-n, ende asnjë emër dhe katër raunde të mbetura

Ditën e hënë në 16 maj 2022 u ezurua raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, ku seancë plenare nuk pati asnjë kandidaturë për votim. Në këtë mënyrë mbeten edhe katër raunde për zgjedhjen e Presidentit të Ri.

Deklarata e Ramës

Kryeministri Edi Rama njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, e bëri të qartë pas përfundimit të seancës plenare se do të presë opozitën deri në raundin e tretë që të gjejë konsensus për ndonjë nga emrat që do të propozojë mazhoranca, më pas kjo e fundit në raundin e katërt do të votojë emrin e saj për kreun e ri të shtetit.

Çfarë ndodh tani?

Ndërkohë që të hënën është ezaurar raundi i parë pa një emër, kjo u jep kohë palëve që deri në raundin e dytë të gjejnë emrat, të cilët do të fusin në votim. Me kalimin e raundit të parë pa një emër, ulen shanset e opozitës për t’i bërë presion maxhorancës për dakordësi pasi në dy raundet e fundit, pra të katërtin dhe të pestin, PS do të ketë mundësi që ta votojë Presidentin edhe me 71 vota duke e legjitimuar këtë edhe me faktin se nuk mund ta çojnë vendin në zgjedhje sërish pas më pak se një viti e gjysmë pas prillit 2021.

Si zgjidhet Presidenti?

Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave, pra 84 vota. Sipas ndryshimeve të bëra së fundmi në Kushtetutë, në rast se në fund të tre raundeve nuk është zgjedhur ende një person, atëherë kalohet në raundin e katërt, ku Presidenti duhet të zgjidhet me 71 vota. Nëse në raundin e katërt njëri prej kandidatëve të mbetur në garë nuk siguron 71 vota, kalohet për votim në raundin e pestë, ku sërish duhen 71 vota. Nëse dështohet edhe në raundin e pestë, atëherë shpërndahet Parlamenti dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe do të jetë maxhoranca e re që do të zgjedhë Presidentin./abcnews.al