Reali nuk njeh kundërshtarë në La Liga, mposht bindshëm Atletico Madridin (VIDEO)

Real Madridi nuk njeh kundërshtarë në La Liga. “Galaktikët” kanë mposhtur pastër Atletico Madridin në “Santiago Bernabeu” në kuadër të javës së 17.

Ndeshja u zhbllokua nga i përhershmi, Karim Benzema në minutën e 16, pas një asisti të Vinicius Jr, duke u konfirmuar edhe një herë si dyshja më e mirë momentalisht.

45 minutat e para do të mbylleshin me avantazhin minimal  të vendasve, ndërsa në të dytën “Cholo” hedh në fushë sulmuesit Felix dhe Lemar, por Atletico ndryshon pak gjë në fazën sulmuese.

Reali do të shënonte edhe golin e dytë në minutën e 57 me anësorin Asensio duke  i dhënë  qetësi dhe garanci të tijve.

2-0 do të ishte edhe rezultati përfundimtar i derbit të Madridit. Reali shkëputet i vetëm në krye me 42, ndërsa Atletico në vendin e 4 me 29 pikë. /albeu.com


Shtuar 12.12.2021 23:03