Shënoi golin e parë në “El Clasico”, Vinicius: E kishim provuar shpesh në stërvitje

Ndeshja përballë Barcelonës në “Bernbeu” do të mbahet mend gjatë nga ylli brazilian i Realit, Vinicius Junior.

Talenti brazilian u bë futbollisti më i ri që shënon në një “El Clasico”, por tani dëshiron që të vazhdojë në këtë rrugë dhe të ndihmojë skuadrën për të arritur rezultate pozitive.

Sulmuesi i “Galaktikëve” zbuloi gjithashtu se aksioni i golit është provuar disa herë në stërvitje dhe Toni Kroos i dha një pasim mjaft të bukur.

“Kroos më dha një pasim shumë të bukur dhe të zgjuar. Është diçka që e bëjmë shpesh në stërvitje dhe për fat na doli gjatë ndeshjes. Kërkova të godisja në portë dhe jo të pasoja”, tha sulmuesi i madrilenëve.

“Tregova me shenjë stemën e Realit të Madridit, sepse jam shumë krenar që luaj në një skuadër të tillë. Është më e mira në botë. Dua që tifozët e Realit të Madridit të jenë të lumtur dhe unë i bëra deri diku.

Unë kam punuar shumë gjatë kësaj kohe, sepse e kam ditur gjithmonë se herët a vonë do të vinte mundësia për të shënuar dhe për të luajtur ndeshje si këto. Trajneri ka pasur gjithmonë besim tek unë dhe jam i kënaqur që shënova dhe ndihmova Realin që të fitonte.

Dua të fitoj trofe këtë sezon, jam si një fëmijë që ka ëndrra dhe dëshira. E kisha ëndërruar një gol në klasike dhe ia dola. Këtë mbrëmje nuk do ta harroj kurrë.

Duhet të vazhdojmë kështu, të punojmë me njëri-tjetrin, për tifozët. Dua t’i falënderoj sepse ishin të shumtë dhe mbushën shkallët e stadiumit për të na mbështetur. E meritojnë këtë fitore. Duam që të bëjmë gjithmonë gjërat që na kërkon trajneri Zidane. U rikthyem të bëjmë një ndeshje pozitive dhe fituam”, deklaroi autori i golit të parë në fitoren 2-0 të Realit ndaj Barcelonës.


Shtuar 2.03.2020 08:38