EMRI/ Hodhi naftë në ujërat e Shëngjinit, shpallet në kërkim kapiteni i anijes

Lezhë- Policia ka shpallur në kërkim kapitenin e anijës që akuzohet si përgjegjës për ndotjen me naftë në bregdetin e Shëngjinit.

Mësohet se në kërkim është shpallur shtetasi Ermir Kosova, kapiten i anijes, pasi sipas policisë dyshohet se ka hedhur mbetje vajore, naftë, në Shëngjin.

NJOFTIMI I PLOTË:

Lezhë

Identifikohet dhe shpallet në kërkim kapiteni i anijes së një subjekti që dyshohet të ketë hedhur mbetje vajore duke ndotur ujin në detin e Shëngjinit.

Rreth orës 15: 10 , jemi njoftuar nga shërbimet e Policisë Kufitare , se kanë konstatuar ndotje të ujit, në fillimin e shetitorës në bregdetin e Shëngjinit.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Shëngjin, të Komisariatit Lezhë dhe specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë kryher veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Gjatë verifikimeve të kryera dhe pas administrimit të raportit të nisjeve të anijeve në portin e Shëngjin, nga shërbimet e Policisë, ka rezultuar se ka dalë në lundrim anija tregtare me kapiten shtetasin E.K., për të cilin u bë shpallja në kërkim, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës” , pasi dyshohet të ketë hedhur mbetje vajore në detin e Shëngjinit.

Gjithashtu, janë marrë mostra të ndotjes për ekzaminim të mëtejshme, si dhe është administruar praktika e daljes së anijes nga porti.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme. /albeu.com/

 


Shtuar 12.11.2021 20:30