“Erdha në Ohër për të nënshkruar”, Kurti konfirmon marrëveshjen: Është njohje “de facto”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut është “njohje de facto” por shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po i ik nënshkrimit të marrëveshjes.

Kurti tha se i takon Bashkimit Evropian që ta gjejë mekanizmin që ta bëjë këtë marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme.

“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellët de facto. Pra, kjo është njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.

Pas raundit të bisedimeve, Kurti tha se pajtimi publik është arritur për aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë, me një aneks. Pala tjetër, njëjtë si në takimin e kaluar [takimi në Bruksel më 27 shkurt] po i ik nënshkrimit të marrëveshjes”, tha Kurti.

Ai tha se aneksi, për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan në takimin e Ohrit, do të publikohet nga Bashkimi Evropian.

“Unë mendoj që është platformë solide për të ecur përpara, e andaj është e pranueshme për ne”, tha Kurti./REL/


Shtuar 18.03.2023 23:53