Maratona filmike “Travel Fest Albania”/ Tirana, Durrësi dhe Gjirokastra mirëpresin mbi 50 autorë të huaj

Pas suksesit të edicionit të parë, në zemrën e gjelbër të Tiranës, çeli edicioni i dytë i Travel Fest Albania.

Amfiteatri i Tiranës mikpriti artdashës dhe autorë që bëhen bashkë në një pikë: në dashurinë për kinematografinë dhe gjuhën vizuale.

Nga 50 autorë të huaj, në skenë u ngjitën për të ndarë përshtypjet e tyre regjisorja Iryna Melnyk dhe producenti spanjoll Manuel Ibero, që në këtë festival konkurrojnë me filmin “Debutimi i 5 fshatrave spanjolle”.

Të mrekulluar nga Shqipëria, Melnyk dhe Ibero nuk i kursyen lëvdatat.

“Është një vend i vogël, megjithatë mund të them se të fton për eksplorim. Padyshim është një gur i çmuar, që thjesht duhet zbuluar”, – u shpreh producenti Manuel Ibero.

“Patëm një udhëtim me vonesë, por nuk mund ta quaj aspak problem. Gjithçka që pasoi më tutje, ishte fantastike. Kemi parë vende të jashtëzakonshme…”, – tha regjisorja e huaj Iryna Melnyk.

Mbi skenë, u ngjit edhe zëvendës Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello.

“Në Ditën Botërore të Qeseve Plastike, kur në Shqipëri prej një viti është ndaluar përdorimi i qeseve plastike, këto festivale, ose këto organizime, patjetër që nxisin vetëdije edhe më të mirë për të ruajtur dhe zhvilluar turizmin e qëndrueshëm”, – vlerësoi zëvendës Ministrja Vilma Bello.

Për Shqipërinë në vetvete, mes notash humori e lentes së një kamere nga Danimarka, u prononcua përreth 5 minuta Mikael Kyster.

Pikërisht me produktin filmik “Familja Kyster në Shqipëri”, me të cilin konkurron në edicionin e II të Travel Fest Albania.

Plot 10 produksione e pasuan atë, me tematika të ndryshme si: natyra, mjedisi, turizmi, trashëgimia dhe historia.

Dhe kjo është vetëm pikënisja e një rrugëtimi që do të zgjasë deri më 7 Korrik, e që do të shtrihet edhe në Durrës e Gjirokastër.

Për autorët, rrugëtimi premton adrenalinë e aventura eksploruese, mes copëzash historike e kulturore të vetë Shqipërisë.

Në tërësi do të shfaqen 112 filma të përzgjedhur, që sipas kryetarit të jurisë së festivalit, Vladimir Peroviç, të gjitha i adresohen njeriut, qenies që mbetet gjithmonë e njëjtë, pavarësisht vendit ku jeton e vepron.

“Është natyra, mjedisi e klima çka dhurojnë për njeriun elemente të reja, dhe kjo është çfarë do të mësoni nga filmat që do të shihni”, – iu drejtua Vladimir Peroviç të pranishmëve, ndërsa nuk ngurroi ta cilësonte Travel Fest Albania si festivalin e ndasive të vogla mes kolegësh e shikuesish dhe në të vërtetë, sipas tij, me shumë rëndësi dhe vlera.

Sakaq, drejtori i festivalit Pandeli Çeço i mëshoi nevojës për mbështetje që paraqet sektori kinematografik dhe derivatet e tij, përfshirë këtu eventet e ngjashme me Travel Fest Albania.

Për më shumë se dy orë, ekrani i madh në zemër të Amfiteatrit të Tiranës tërhoqi pas vetes grupmosha të ndryshme. Dhe ekrane të ngjashme premtojnë se do të dallohen nga i njëjti pasion e dashuri për kinematografinë, për plot 4 ditë, në Durrës e Gjirokastër.


Shtuar 4.07.2023 08:37