Mund të largohej me parametra zero, Messi vendos të qëndrojë te Barça të paktën edhe një sezon

Kampionati spanjoll rikthehet pas 10 ditësh, praktikisht një kohë e shkurtër që skuadrat e La Ligas të jenë në kapacitet të plotë fizik. Te Barcelona, kryesuesja e kampionatit, janë entuziastë për kthimin në fushë (kanë nisur stërvitjen me grupin e plotë), pasi “blaugranat” besojnë se, përveç kampionatit, mund të fitojnë edhe Championsin, trofe të cilin për herë të fundit e kanë ngritur 5 vite më parë.

Më këto rrethana të reja të krijuara nga pandemia COVID-19, ESPN ka zbuluar një lajm të rëndësishëm për të ardhmen e Lionel Messit.

Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë do të jetë pjesë e Barcelonës ta paktën deri në verën e vitit 2021. Argjentinasi nuk ka ndërmend ta shfrytëzojë klauzolën që ka në kontratën e tij për të dalë e lirë në fund të sezonit.

Lajmi u konfirmua si nga përfaqësuesit e lojtarit ashtu edhe nga klubi. Sipas klubit, Leo do të kishte pesë ditë kohë, pas finales së Champions League, për të komunikuar dëshirën e tij për t’u larguar. Afati do të ishte e premtja e ardhshme (5 qershor). Sidoqoftë, ESPN e merr si të mirëqenë që kjo nuk do të ndodhë. Askush nuk e imagjinon një ndarje të Messit me Barcelonën në këtë fazë të karrierës.


Shtuar 1.06.2020 21:19